Jo daljes pa marrëveshje, Parlamenti britanik voton sërish për Brexit

schedule22:03 - 13 Mars, 2019

schedule 22:03 - 13 Mars, 2019

Britania e Madhe nuk do të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje. Parlamenti britanik votoi sonte kundër një opsioni të tillë, me një diferencë të ngushtë prej 4 votash.

Ligjvënësit britanikë kanë votuar mbrëmjen e së mërkurës, me 312 vota ndaj 308, kundër opsionit të daljes nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje. Sipas BBC, votimi nuk ka efekt ligjor dhe njëkohësisht nuk e pengon largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni, por lë të hapur mundësinë që ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve të votojnë për ta shtyrë Breksit. Votimi në fjalë mund të mbahet ditën e enjte dhe nëse kalon, Britania nuk do të largohet nga blloku europian më 29 mars siç është parashikuar.

Natyrisht, nëse për këtë bie dakord edhe Brukseli. Por, nga Kenia ku ndodhet për një vizitë zyrtare, presidenti francez Emanuel Makron ka deklaruar se Britania duhet të dalë me argumente të qarta nëse kërkon një shtyrje të 29 marsit. Makron ka theksuar se Londra nuk mund të kërkojë më shumë kohë për të rinegociuar marrëveshjen, pasi ajo është e panegociueshme.

“Nëse britanikët do të kërkojnë një shtyrje, ajo mund të jetë një shtyrje teknike për t’u dhënë atyre më shumë kohë për të bërë gati plaçkat”, ka thënë Makron. Shefi i pallatit Elize ka shtuar se nuk mund të ketë negociata të mëtejshme për diçka që është negociuar për muaj të tërë. Në votimin e së mërkurës, deputetët britanikë hodhën poshtë me 374 vota kundër dhe 164 pro edhe një amendament për ta shtyrë daljen nga Unioni për më 22 maj, në mënyrë që dalja pa marrëveshje të ishte më e menaxhueshme. /abcnews.al