Myslimania ekstremiste Shamima Begum në Provokacija

schedule20:12 - 12 Mars, 2019

schedule 20:12 - 12 Mars, 2019

Monologu i kësaj të marte i Mustafa Nanos në Provokacija ishte për një myslimane britanike, që i është hequr nënshtetësia, pasi ishte pjesë e kalifatit islamik. Në një intervistë dhënë një gazetareje britanike, ajo tha me shumë qetësi e indiferencë se në Siri, kishte parë koka të prera civilësh perëndimorë të hedhura nëpër kashtunë plehrash, sepse ishin kokat e njerëzve që ishin armiq të ISIS-it. por pyetja që ngre Mustafa Nano në përgjigje të gjithë gazetarëve dhe politkanëve që fajësojnë qeverinë britanike është:  Si mund të jetë fajtor shteti britanik që i ka hequr shtetësinë dikujt që shtetin britanik e urren e që bombat e hedhura nga terroristët në Londër apo në qytete të tjera, duke provokuar viktima civile, i quan një gjë e kuptueshme?

Monologu i plotë i Mustafa Nanos

Shamima Begum është një myslimane britanike. Ishte britanike. Nuk është më. Sot është thjesht myslimane, pasi shtetësia britanike i është hequr. Ajo ka dy javë që është pa një shtetësi, dhe është e detyruar të vijë vërdallë nëpër kampet e refugjatëve në kufi me Sirinë, diku në zonën kurde. Po ju tregoj se çfarë ka ndodhur me të.

Para katër vjetësh, kur ishte 15 vjeç, ajo mori edhe dy shoqe, vërsnike të sajat, që ishin myslimane gjithashtu, dhe u nis për në Siri, për t’iu bashkuar në terren kauzës së ISIS-it. Dhe atje, në harkun e dy javëve u martua me një mysliman hollandez, që ishte një ushtar i kalifatit islamik. U takuan në një dhomë, u panë sy më sy, i dëgjuan zërin njëri tjetrit, ai i bëri disa pyetje asaj për ta testuar si myslimane, dhe pas 15 minutash dolën të martuar. Nëntë muaj më pas, ajo lindi një fëmijë. I shoqi luftonte në front, ndërsa asaj i duhej të rriste fëmijën, ndonëse nuk ishte ende e përgatitur për këtë gjë. Iu vu punës për t’u bërë nënë, megjithatë, por paaaftësisë së saj iu shtuan edhe vështirësi të tjera. Ajo jetonte në kushte të mbijetesës, mes bombave që vinin nga sipër në kërkim të jihadistëve, por që shkaktonin dëme KOLATERALE. Mungonte ushqimi, i duhej të zhvendosej shpesh për t’iu shmangur bombave, jetonte mes sëmundjesh, doktorët i kishte larg, e kështu fëmija i vdiq. Por gjatë vizitave që i shoqi i bënte mes betejash, e la Shamimën sërish shtatzanë. Kaluan edhe nëntë muaj të tjerë, dhe ajo u bë me një fëmijë tjetër, i cili qëlloi po aq i pafat. Vdiq diku në Siri. Vdiq për shkak të jetës së vështirë, që bënte e ëma tanimë 17 vjeçare.

Ndërkohë, për ISIS-in erdhën kohë të këqija. Kalifati, për të cilin është folur për disa vite me radhë, nuk ekziston më. Një pjesë e madhe e ushtarëve të ISIS-it janë vrarë, një pjesë janë burgjeve në Siri, Irak, apo në vendet aty rrotull, një pjesë kanë mundur të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe janë ose në pranga, ose duke ndjekur programe rehabilitimi, të tjerë kanë humbur pa nam e pa nishan. I shoqi i Shamimës është në dorë të forcave kurde, diku në kufi me Sirinë. Por para se të binte në duar të kurdëve, ai e kishte lënë Shaminën shtatzanë për herë të tretë. Me një djalë, të cilit Shamima i vuri emrin e një jihadisti të shekujve të shkuar. Dhe këtë e bëri në në respekt të ekstremizmit të vet. Madje, pak ditë para se të lindte, ajo i dha një intervistë një gazetareje britanike, dhe tha se, ndërkohë që ishte në Siri, ajo kishte parë koka të prera civilësh perëndimorë të hedhura nëpër kashtunë plehrash, dhe i kishte përjetuar situata të tilla me shumë qetësi e indiferencë. Sepse ishin kokat e njerëzve që ishin armiq të ISIS-it.

Tani, ajo kërkon të kthehet në shtëpi, në Londër. Por qeveria britanike ia ka hequr shtetësinë. Ia hoqi shtetësinë përpara se djali i saj i tretë të vdiste. Dhe kështu, për shkak të dhembshurisë me të cilën u raportua nga media britanike e botërore vdekja e fëmijës, një numër gazetarësh e politikanësh britanikë, kryesisht të majtë, janë duke fajësuar qeverinë për vdekjen e fëmijës. Çfarë demagogësh më duken mua këta njerëz, sa të pasinqertë që janë, teksa bëjnë politikë me vdekjen e një fëmije e teksa nuk kanë guximin për të thënë një të vërtetë fare të thjeshtë, për të thënë se fajtor për vdekjen e fëmijës është nëna e tij, është dhe babai i tij, janë edhe familjet e tyre, dhe askush tjetër. Si mund të jetë fajtor shteti britanik që i ka hequr shtetësinë dikujt që shtetin britanik e urren e që bombat e hedhura nga terroristët në Londër apo në qytete të tjera, duke provokuar viktima civile, i quan një gjë e kuptueshme? Unë nuk i kuptoj këta njerëz. Ose le të themi që i kuptoj po aq sa kuptoj edhe Shamimën. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!