“Dua të ndjek gjurmët e Canës”, Bilario Azizi, 17-vjeçari që motivohet nga Gattusso

schedule18:30 - 7 Mars, 2022

schedule 18:30 - 7 Mars, 2022

Shqiptarët në Itali janë të shumtë dhe një nga ata është edhe i talentuari Bilario Azizi. Ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe me Torinon U-18 është një nga lojtarët kryesorë këtë sezon. Mesfushori qendror nuk u ka shpëtuar as skautëve të FSHF dhe për herë të parë fanellën kuqezi e ka veshur në një miqësore kundër Italisë U-18.

Azizi, i lindur në shtetin fqinj, ka nisur të luajë futboll që në moshë të vogël, 6 vjeç. Nga atëherë me futbollin u bë i pandashëm. “Që i vogël kam pasur dëshirë të loz me top, babi edhe vëllai më kanë përkrahur gjithmonë. Familja ime më rri shumë pranë, veçanërisht babi edhe vëllai që më ndjekin në çdo ndeshje dhe stërvitje”.

Hap pas hapi Bilario nisi t’i ngjiste shkallët, duke nisur gjithçka në klubin e Torino. Nga mosha 7-vjeçare u regjistrua te “Demat” dhe tani është pjesë e Torino U18. Aty u vu re për cilësitë që ka dhe u ftua për herë të parë në gusht të vitit 2021 të ishte pjesë e Shqipërisë U18, që drejtohet nga Ardi Behari.

Sigurisht mesfushori nuk e harron atë grumbullim, teksa thotë: “Jam krenar që vesha fanellën kuq e zi kundër Italisë. Më është plotësuar kështu dëshira që kisha për të lozur me kombëtaren. Ishim një grup i fortë kundër Italisë dhe ndeshja shkoi shumë mirë, ndaj një prej ekipeve më të forta në botë. Jam krenar që kam arritur deri këtu dhe shpresoj të arrije akoma më lart”.

Shembujt Bilario i ka të fortë, nisur edhe nga pozicioni ku ai luan në fushën e blertë. Muskujt janë të rëndësishëm dhe duhet shumë vrap. Ai ka zgjedhur si shembuj dy futbollistë që për tifozët e tyre dhe për ekipet ku luanin, bëheshin copë.

“Lorik Cana është lojtari shqiptar që më motivon më shumë. Më pëlqente shumë energjia dhe vendosmëria që kishte në fushën e lojës”, tregon Azizi, i cili më pas e kompleton përgjigjen e tij me një tjetër lojtarë që të merrte gjak në vetull. “I huaji që më motivon është Gennaro Gattuso”.

Për italianin që ka shkëlqyer te Milani dhe ka fituar gjithçka nuk është se ka nevojë për shumë komente. Atë e njohin kudo dhe në veçanti në Serie A, kampionat ku tani numri i shqiptarëve është rritur edhe më shumë.

Bilario e ëndërron që një ditë të luajë në kampionatin elitar të futbollit në Itali. “Jam krenar kur shikoj kaq shumë futbollistë shqiptarë në Serie A. Edhe unë shpresoj të arrij një ditë ku kanë arritur bashkëkombësit e mi tani. Jam i ri dhe duhet të vazhdoj të punoj të arrij aty ku dua”, ka shtuar mesfushori i moshave të Torinos.

Shqiptarë në nivele të larta nuk luajnë vetëm në Itali, pas ka edhe në kampionate të tjera. Së fundmi edhe Uzuni ka kaluar në La Liga, çka tregon një rritje të nivelit të futbollit dhe futbollistëve shqiptarë. Azizi e sheh të ardhmen të ndritur: “Mendoj që kombëtarja do bëhet edhe më e fortë, pasi ka shumë futbollistë shqiptarë të talentuar nëpër botë”.

Edhe pse vetëm 17 vjeç, Bilario ëndërron të ketë një karrierë të madhe. Ai e thotë hapur që do të donte të provonte eksperienca të shumta e kush më mirë se Lorik Cana ka qenë i tillë, pasi ka luajtur në Ligue 1, Premier League, Serie A dhe në Superligën e Turqisë.

“Objektivi im është të arrijë sa më lart në futboll dhe do punoj për këtë. Do të doja të ndiqja gjurmët e Lorik Canës. Karriera e tij më ka pëlqyer shumë, pasi ka luajtur në kampionate të ndryshme”, – ka përfunduar rrëfimin Bilario Azizi.