Nuk janë gjëra për të cilat mund të mburresh, por janë pjesë e lojës.
Kartoni I kuq është një goditje e madhe individuale, por sidomos për skuadrën, dhe ai që e merr e ndjen thellë siç e ndjeu edhe Etrit Berisha në stadiumin e Helsinkit.
Portieri I kombëtares shqiptari barazoi ish-kapitenin Lorik Cana, si të vetmit futbollistë kuqezinj që kanë marrë nga dy kartonë të kuq gjatë karrierës me ekipin përfaqësues.
Gjithsej, janë tre lojtarët që kanë marrë më shumë se një të kuq gjatë gjithë historisë së kombëtares së Shqipërisë, dhe rekordmeni historik mbetet Edvin Murati me tre, edhe se nuk ishte një mbrojtës.
Berisha edhe mund ta arrijë, diçka që nuk do të dëshironte ta bënte, dhe gjë që mund të ndodhte vetëm nëse trajneri Maran do t’i jepte sërish shans që të grumbullohej e të luante.
Në Finlandë, numri 1 kuqezi e bëri vetë gabimin dhe pastaj u detyrua të përjashtohej, duke qenë fillimi I një përmbysjeje që e ktheu ndeshjen nga 1-0 për ne, në 2-1 për vendasit.
Kartonin e parë të kuq, Etriti e mori në ndeshjen ndaj Izraelit në “Elbasan Arenë”, në eliminatoret e Kupës së Botës në 12 nëntor 2016.
Sa për Canën, kapiteni I dikurshëm pati një përjashtim të rëndë në ndeshjen e parë historike të Shqipërisë në fazën finale të një Kampionati Europian, në 11 qershor 2016 në stadiumin e Lensit në Francë përballë Zvicrës.
Kjo ndodhi në 37’, dhe dëmtoi shanset e kombëtares për rezultat pozitiv, ndërsa në fund zviceranët ia dolën 1-0.
Kartonin e parë të kuq, Cana e pati marrë në një duel në “Qemal Stafa” ndaj Holandës, në vitin 2007, në eliminatoret e Kampionatit Europian.


