Zinedin Zidane ka plane të mëdha për Realin, ndërsa u rikthye si trajner. Francezi synon të afrojë yje të mëdhenj në “Santiago Bernabeu”.
Nëse kishte diçka që pritej më pak në këtë botë, ishte ky kthim, më pak se 10 muaj pas dorëheqjes! Jeta, gjithsesi, ka të papritura dhe tashmë Zinedine Zidane është trajneri i ri i Realit, me një mision besohet më të vështirë sesa të parin. Herën e parë, presidenti Florentino Perez zgjodhi disa fjalë të menduara mirë për ta paraqitur, duke i thënë se “zgjodha Zinedin Zidanin, për të cilin fjala e pamundur nuk ekziston”.
Perezi nuk i përsëriti këto fjalë, por lumturia e tij ishte shumë e madhe tani sesa atëherë. Përse Reali u kthye tek dashuria e vjetër, dhe përse kaq shpejt?
E qartë, që në maj, pati një largim pa u marrë vesh mes palëve, dhe ikja e Zidanit, pas fitores së tretë radhazi të Championsit, ishte e papritur për vetë presidentin. Ai u përpoq ta bindte, por nuk ia doli, dhe trajneri ishte i qartë në konferencën për shtyp, kur tha se “dikush mund të ketë mendim tjetër, por mua nuk më dukej e sigurt se do të vazhdonim të fitonim”.
Perez synoi një vit pa blerje të mëdha, edhe pas ikjes së Ronaldos, me shpresën për të marrë më pas Nejmarin apo Mbapenë, por dështoi. Presidenti madrilen pranoi disfatën, dhe iu lut Zidanit për rikthimin.
U deshën vetëm dy telefonata, që francezi të bindej, ndërsa ai vetë e kishte lënë portën hapur, kur majin e kaluar tha “kjo, ndoshta nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim për një herë tjetër”.
Zidan pranoi, siç e pohoi edhe vetë, për dashurinë që ka për klubin dhe presidentin, por tani fillon më e vështira. Francezi trashëgon një skuadër të shkatërruar pas disfave me Barcelonën dhe katastrofës me Ajaksin në Champions. Për të nisur një epokë të re suksesesh duhen blerje të mëdha, dhe në krye të listës janë disa emra.
Eden Hazard i Çelsit cilësohet si objektivi numër 1 i trajnerit. Mesfushori i Çelsit mund të kushtojë mbi 100 milionë euro, por Zidan e cilëso të domosdoshëm. Tifozët duan edhe një sulmues të madh, dhe Perez gjithnjë ka menduar për Nejmarin apo Mbapenë.
Cilin mund të marrë Reali?
Presidenti tha me shaka se “Zidan mund të bëjë diçka për Mbapenë sepse është francez, por unë i dua që të dy”. Gjithsesi, Mbape për momentin vlerësohet si më i mundshëm, edhe pse do të duhej të shpenzoheshin rreth 200 milionë euro për t’ia dalë. Pritet që ky sezon t’i shërbejë Zidanit si përgatitje për edicionin e ardhshëm, sepse Reali e ka thuajse të pamundur të fitojë trofe./abcnews.al