Polonia nën trysni ndërsa 1 milion refugjatë largohen nga Ukraina

schedule16:28 - 4 Mars, 2022

schedule 16:28 - 4 Mars, 2022

Në javën e parë të sulmit rus, më shumë se 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henrgy Ridgwell ndodhet në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë, që është destinacioni kryesor i refugjatëve.

Valixhe me rroba dhe ndonjë suvenir është gjithçka që ukrainasit shpëtuan në orët e fundit të panikut të ikjes nga sulmi rus mbi vendin e tyre.

Qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv është kthyer në një pikë kryesore për ukrainasit që ikin nga mortajat dhe raketat ruse.

Gratë dhe fëmijët lënë pas shtëpitë e tyre, si dhe bashkëshortët, baballarët dhe djemtë. Burrat duhet të qëndrojnë për të luftuar.

Pas ditëve të lodhshme dhe terrorit, refugjatët udhëtojnë me tren drejt Polonisë në kërkim të sigurisë.

Ndalesa e parë është Przemysl-i, prej nga ata mund të ndryshojnë tren dhe të udhëtojnë edhe në vende tjera.

Kjo familje shpreson të arrijë në Lituani.

“Do të vazhdojmë, do t’ia dalim. Shpresoj që gjithçka të përfundojë mirë dhe Ukraina jonë të fitojë. Dua të kthehem, dua të shkoj në shtëpi”, thotë Anastasia, refugjate ukrainase.

Çdo familje ka rrëfime të ngjashme të humbjes dhe frikës.

Më shumë se 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi, sipas Kombeve të Bashkuara. Numri më i lartë ndodhet në Poloni.

Shumica e refugjatëve ukrainas kanë miq dhe familjarë në Poloni, ose diku në Evropë, ku mund të qëndrojnë. Por ndërsa lufta përshkallëzohet, numri i atyre që kalojnë kufijtë rritet sikur edhe trysnia ndaj Polonisë.

Jo të gjithë kanë një vend për të qëndruar. Kaleb Poities nga Republika e Kongos studionte për inxhinieri elektrike në Odesa. Ai u largua me të dashurën e tij ukrainase pasi filluan sulmet ruse.

“Një javë kemi fjetur në kufi, rrugës për të ardhur këtu. Tani jemi mirë. Deri tani jemi pritur mirë në Poloni. Tani po presim autobusin për të shkuar në pjesën tjetër të Evropës, ndoshta në Francë“, thotë ai.

Vullnetarë nga dhjetëra vende kanë ardhur për të ndihmuar – duke ofruar ushqim, rroba, strehim dhe udhëtime me makinë në destinacione të ndryshme të Evropës.

Qindra mijëra ukrainas largohen nga vendi edhe me makina dhe në këmbë.

Brenda pak minutash autobusë me refugjatë ukrainas dërgohen nga kufiri në Medyka në qendrat e pritjes më në brendësi të Polonisë.

Por lëvizjet nuk zhvillohen vetëm në një drejtim. Shumë ukrainas po kthehen në shtëpi për të luftuar. Zëri i Amerikës foli me tre ish-ushtarë që nuk donin të identifikohen.

“Është normale. Do ta mposhtim Putinin dhe gjithçka do të bëhet mirë. Tanket dhe mjetet e blinduara ruse do t’i dërgojmë në ferr”, thotë Viktori, ushtari në pension.

Ukrainasit janë të vendosur të mbijejtojnë dhe ta fitojnë luftën. Por kjo po shkakton një kosto të lartë njerëzore.

Familjet e ndara. Vendi i copëtuar. Fëmijët e Ukrainës detyrohen të largohen nga vendi i tyre, drejt një të ardhme të panjohur./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!