Ministri tunizian për Shëndetësinë, Abderraouf Cherif, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas vdekjes së 11 bebeve në një spital në kryeqytetin Tuniz. Të gjitha foshnjet vdiqën pas infeksioneve në maternitetin Rabta në datat 7 dhe 8 Mars. Cherif kishte vetëm katër muaj në detyrën e ministrit të Shëndetësisë.
Kryeministri i vendit, Youssef Chahed tha se kanë nisur hetimet mbi institucionin mjekësor shtetëror për praktikat farmaceutike dhe higjienike. Në një postim në rrjetet sociale, shoqata e pediatrëve në Tunizi tha se infeksioni mund të ketë ardhur si pasojë e një produkti ushqimor.
Shoqata i bëri thirrje autoriteteve që të hedhin dritë mbi rastin dhe kritikoi kushtet e pasigurta mbi të cilat punojnë mjekët.
Shërbimi shëndetësor në Tunizi ka pasur reputacionin si një nga më të mirët në Afrikën e Veriut dhe turizmi mjekësor konsiderohet si një nga burimet kryesore të të ardhurave për shtetin.
Por që nga rrëzimi i presidentit Zine El-Abidine Ben Ali në 2011-n, sistemi shëndetësor ka hasur shumë pengesa nga problemet me financat dhe menaxhimin./abcnews.al