Dy ambasadorët e akredituar në Tiranë, ajo e SHBA-së Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 6 Marsit, për të shprehur mbështetjen për rolin kritik të KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në fjalën e saj gjatë takimit Kim nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime apo nxitje të panevojshme. Ajonxiti KQZ-në që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshi verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.
Gjithashtu ajo vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për në BE. Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të palëkundura të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë për një demokraci më të fortë dhe një të ardhme më të begatë.