Skënderbeu do të ketë gjyqin në KAS, me UEFA-n, në muajin Prill të këtij viti. Korçarët deklarojnë se synojnë pafajësinë, por besohet se mund të kënaqen edhe me uljen e dënimit në 3 vjet.
Enigma duket se nuk ekziston më. Të paktën kështu mendohet pasi Skënderbeu botoi letrën e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, për datën e gjyqit me UEFA-n. Dokumenti tregon se seancat në Zvicër do të jenë në 16 dhe 17 Prill, pra rreth 5 javë më vonë dhe pas tyre, gjykata do të vendosë lidhur me dënimin e UEFA-s, që e përjashtoi klubin shqiptar për 10 vjet nga kupat e Europës, si dhe e gjobiti me 1 milion euro.
Skënderbeu u akuzua se trukoi shumë ndeshje në raundet eleminatore në Ligën e Kampionëve, si dhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Kjo ishte hera e parë që përcaktohet data e gjyqit në KAS nga vetë klubi, ndërsa deri tani ka pasur vetëm njoftime jozyrtare, mbi data të caktuara dhe mbi shtyrjen e tyre gjatë vitit 2018, si për fillimin e vitit 2019.
Së fundi, nga Korça erdhën lajme se shpresat janë që gjyqi të fitohet tërësisht, pra të hidhet poshtë vendimi i UEFA-s dhe të fitohet pafajësia. Gjithsesi, burime të mirëinformuara pranë klubit bëjnë me dijë se edhe një dënim 3-vjeçar do të ishte një sukses dhe se pikërisht ky rezultat shihet si më realist për t’u arritur.
Skënderbeu ka pajtuar studion më të njohur të avokatisë në Zvicër, të quajtur fillimisht De Pfifer, ndërsa tani e bashkuar nën emrin Kelehals Karrar. Besohet se shpenzimi ka arritur në 500 000 euro, shenjë që presidenti Takaj ka shpresë se mund të marrë një rezultat pozitiv. Skuadra kampione e Shqipërisë u ndalua dy herë për të marrë pjesë në kupat e Europës, fillimisht në 2016, dhe pastaj në verën e vitit 2018./abcnews.al