Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba është shprehur të martën se Kina është “e gatshme të kërkojnë një zgjidhje paqësore” në bisedimet diplomatike për t’i dhënë fund luftës që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës.
Më herët të martën, Kuleba pati një telefonatë me homologun e tij kinez Wang Yi. Pa e quajtur aktin ushtarak të Rusisë në Ukrainë një “pushtim”, Wang është shprehur se Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi dhe ai i kërkoi Ukrainës dhe Rusisë që ta zgjidhin krizën përmes negociatave.
Duke folur për CNN nga një vendndodhje e pazbuluar në Ukrainë, Kuleba tha se ai “i bëri thirrje ministrit të Jashtëm kinez që të përfitonte nga ndikimi që kanë mbi Putinin, nga marrëdhëniet e tyre me Rusinë dhe t’i kërkonte që ta ndalojë këtë luftë menjëherë”.
I pyetur nëse Kina do të mbështeste një zgjidhje diplomatike të konfliktit, kryediplomati ukrainas tha se “përfshirja konstruktive e Kinës është e mundur” dhe vuri në dukje abstenimin e Kinës nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënon Rusinë për pushtimin e Ukrainës. /abcnews.al/