Komisioni Basha-Tabaku, aleati politik për të vërtetat alternative të Ramës

schedule16:48 - 1 Mars, 2022

schedule 16:48 - 1 Mars, 2022

Nga Lorenc Vangjeli

Ka disa të vërteta të thjeshta që nguti, ngasja e gatishmëria për shfaqje, i pluhuros menjëherë dhe i bën të padukshme. Komisioni hetimor parlamentar ju bashkëngjit dhe bashkëshoqëroi një hetim penal nga SPAK. Mjafton ky fakt për të kuptuar se sipas parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve, kakofonia e krijuar nuk zbulon, por mbulon mëkatarët e mundshëm. Nuk afron një mundësi më shumë për identifikimin dhe ndëshkimin e tyre, por është avokatia më e shkëlqyer që u jepet atyre që janë në dyshim se kanë kryer vepra penale, qoftë në administratën e lartë shtetërore, qoftë si persona privatë.

PD-së zyrtare, asaj të vulës dhe pullës, ju dha “qelepir” një mundësi e shkëlqyer marketing politik. Në vend që të vraponte në Shkodër e Vorë, të përqëndrohej në Dibër apo Lushnje, zgjodhi të veprojë ndryshe.

U vu nën projektorët e vëmendjes së publikut si këpucari i ashpër që po tentonte të qepte një këpucë të vetme për të dyja këmbët e Ramës. Në të vërtetë, PD ra në kurthin e kryeministrit, që në fund të maratonës dhjetë orëshe të dëshmisë së tij, pas asaj të bashkëpunëtorëve të tij, realizoi të gjitha objektivat e mundshëm politikë. Duke nisur me kontrastin që krijoi me të gjithë kryeministrat paraardhës.

Në krahasim me ta ai u dëshmua: “… edhe më demokratiku, edhe më transparenti”. Askush tjetër në pozicionin e tij dhe si ai, nuk afroi gjithë përulje teatrale hundën nën gishtin opozitar që i tundej me akuza të çdo lloji. Vetëm të marrët nuk kuptojnë se dobësia dhe modestia e shfaqur në një rast të tillë, është në të vërtetë vetëm forcë e epërme.

Rama arriti të çmontojë atë që zhargoni i zakonshëm i politikës e ka ngritur në kult: aritmetikën e akuzës. Domethënë, nëse një tender është i deformuar, autoriteti tenderues quhet se ka vjedhur gjithë paratë e destinuara për tenderin. Si në rastin e Astirit për shembull: ende pa u shpenzuar asnjë qindarkë për projektin, akuza ishte e gatshme dhe pretendonte se ishin vjedhur nja 40 milion euro. Në rastin e inceneratorëve, hesapi opozitar konsideronte të grabitur të gjitha paratë që mendohet se do të dalin nga xhepi i shqiptarëve për llogari të pastrimit të tre qyteteve, deri në gjysmën e shekullit. Por një gjë që nuk ka dalë ende nga thesi i përbashkët, nuk mund të quhet se ka hyrë në xhepin e privatit apo të zyrtarit të supozuar si maskara.

Shuarja e shifrës prej 430 milionë eurosh ishte fitorja domethënëse e Ramës, që shtuar me dëshminë se Shqipëria sot është më e pastër se dje, fshehu dy anë të erëta të çështjes, që komisioni nuk mundi t’i ndriçojë dot. A ishte kjo mënyra më e pastër dhe më e lirë për të arritur të njëjtin rezultat? Rama këtu u shmang jo aq për meritë të mënyrës së tij të komunikimit, por sepse përballë tij kishte një panel që ndonëse u përpoq, nuk kishte asnjë shans të bënte më shumë qoftë për shkak të kufizimeve profesionale, qoftë për shkak të pamundësisë për më shumë, qoftë dhe sepse objektivi kryesor, njëlloj si ato kontrollet e dikurshme punëtore në kohën e komunizmit, ishte ndryshe nga zulma për “demaskimin” e Rmës dhe të tijve.

Nesër, në skenarin më të keq të mundshëm për Ramën, ai ka një rekord publik ndarjeje me “të ligjtë” e këtij procesi. Dhe ka të drejtë, në këtë histori që nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive, përgjegjësia e kryeministrit është morale dhe politike, por moralisht nuk ka gjykatës që të gjykojnë në Shqipëri në nivele të tilla, kurse politikisht, duhen pritur zgjedhjet e përgjithshme, të cilat Rama, edhe nëse nuk i fiton dot vetë, i humb kundërshtari i tij.

Komisioni ishte një triumf i parlamentarizmit në një vend ku parlamentarizmi deri pak kohë më parë ishte një karikaturë qesharake, ishte një kryqëzim i teatrit absurd me pluralizmin duke krijuar në atë që e quajnë zakonisht tempull, një shtojcë më shumë se qesharake të gavetës së qeverisë. Komisioni ishte gjithashtu edhe një ndeshje e kotë, e panevojshme dhe e ligë me një pushtet tjetër të pavarur si pushteti gjyqësor.

Deputetë që njëherësh edhe pyesnin si prokurorë popullorë, edhe silleshin si balerina përpara dëshmitarëve me pushtet që kishin thirrur, ishte e qartë se e kuptonin këtë histori si shfaqje e cila nuk afronte hapa drejt të vërtetës, por ulje-ngritje të kuotave vetjake në bursën politike. Nuk mund të pritej rezultat tjetër sa kohë që me cilësinë e dobishme prej Fiati Uno, deputetët e panelit pretendonin të bënin garë në pistën e epërme juridike të Formula Uno-s.

Eshtë e pabesueshme sesi vetëm për shkak të protagonizmit, vetëm për të merituar fjalët “opozitë e ashpër dhe pakompromis”, PD e Bashës i dha një dhuratë kaq të madhe Ramës, të goditur rëndë nga arresti i ish-ministrit të tij të mjedisit dhe në pritje të përfundimit të një hetimi penal nga SPAK-u. Vetëm Basha nuk është në gjendje të kuptojë se më shumë se dhjetra orët e tensionit që kaloi Jorida Tabaku, opozitës do t’i vlente një urdhër tjetër arresti për protagonistët e historisë nga prokurori Arben Kraja.

Basha ju dëshmua Ramës një aleat kaq i padobishëm në zellin e tij për të bërë të kundërtën e asaj që duhej të bënte, sa vetë Rama evokonte herë pas here Berishën në fjalën e tij në komision.

Nga ana tjeter, ka një tendosje të përgjithshme të publikut që sheh tek SPAK-u shpresën për të pastruar mëkatet e stivosura të politikës në vite. Pakkush po e vë re se dalëngadalë pushteti i tretë kushtetues në vend, sistemi gjyqësor, i ka të gjitha shanset që të krijojë ekuilibra të rinj në Tiranën politike. Ai duket se do të jetë gati vendimtar nesër jo vetëm në karriera individuale, por në shumë më shumë se kaq.

Nëse deri më dje ishte politika ajo që përcaktonte axhendën e sistemit të drejtësisë, tani do të jetë drejtësia që do të kushtëzojë fort politikën që do t’i dorëzohet si “kliente”. Megjithatë, ka shpresë që zelli shqiptar për të shkuar në ekstrem si pendul, nuk do të verifikohet në këtë rast. Nuk ka mallkim më të madh për një vend sesa ai tek i cili drejtësia ka një axhendë të mirëfilltë politike. Rasti i Italisë së viteve 90-të që rrëzoi një klasë tjetër politike, zakonisht lexohet shumë keq në Tiranën, ku publiku është i etur për hakmarrje ndaj disa emrave që e kanë zënë prej fyti prej tre dekadash.

Në Itali vërtet drejtësia vrau Andreotin dhe Kraksin, por lindi Berluskonin dhe Yjet e tjerë të rrjeteve sociale që vunë nën këmbë një komb të madh si Italia. Në Tiranë, ky skenar që ka nisur edhe pa drejtësinë, do të ishte fatal. Ai do të ishte i mundur nëse do të ishte vetëm për faktorët shqiptarë, por fatmirësisht, partnerët ndërkombëtare besohet se janë frenuesit e saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!