Miniera e Trepçës në Mitrovicë tashmë është e Kosovës, ku 80 për qind e aksioneve do i takojnë qeverisë, dhe 20 për qind punonjësve të saj. Lajmi është konfirmuar me publikimin e dokumentit nga kryeministri Haradinaj.
Mediat kosovare raportojnë se tashmë gjiganti metalurgjik “Trepça” në Mitrovicë është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Lajmi është konfirmuar dhe nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili ka publikuar në profiling e tij në Facebook dokumentin që e vërteton këtë fakt. Gjatë gjithë kohës Serbia ka kundërshtuar faktin që “Trepça” të regjistrohet në Kosovë si kompani
Ndër të tjera kreu i ekzekutivit shkruan se më në fund lajmi i madh erdhi: “Gjiganti Trepça, pas votimit në Kuvend të Statutit të saj, është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Trepça do të rikthehet me shkëlqimin e dikurshëm dhe do të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë së vendit. Urime e me fat!”, përfundon statusi i Haradinaj.
Regjistrimi i “Trepçës” si kompani vjen pasi në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, statuti i saj mori dritën jeshile për t’u regjistruar si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Miratimi i Ligjit për “Trepçën”, në tetor të vitit 2016 dhe statuti i “Trepçës” shkaktoi reagime në Beograd, pasi Serbia vazhdon ta konsiderojë si pjesë të ekonomisë së saj. Pala serbe vazhdimisht ka kërkuar që çështja e “Trepçës” të jetë pjesë e dialogut. /abcnews.al