Një ditë pasi një nga mjekët e Lezhës u dhunua nga një pacient, kolegët e tij kanë protestuar. Ata i kërkojnë ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për zgjidhje të situatës.
Në një kohë kur kolegu i tyre po mjekohet në Tiranë, bluzat e bardha në Lezhë dolën në protestë. Ngjarja e së enjtes, ku mjeku Zef Doda u godit nga një pacient, ka krijuar gjendje të rëndë psikologjike te kolegët.
“Ngjarja e dënueshme dhe na ka dhënë stres dhe gjendje shumë të keqe”.
Mjekët në Lezhë pranojnë se kushtet e punës bëhen edhe shkak për dhunën ndaj tyre, ndaj ata i kërkojnë ministrisë të ndërhyjë.
“I bëj thirrje qeverisë të na ndihmojë e mbështesë me kushtet e punës”.
“Ne duhet të varim të gjitha bluzat e bardha në shenjë proteste kundrejt kësaj dhune thuajse sistematike që po shndërrohet në vendin tonë, pa fol për kushtet ku punojmë dhe devocionin kundrejt pacientëve”.
“Ajo që ka ndodh një mjeku mund t’i ndodhë edhe të tjerëve”.
Ata kanë paralajmëruar një tjetër protestë për ditën e hënë, ndërsa do të përgatisin edhe një listë me kërkesa që do t’i paraqiten Ministrisë së Shëndetësisë.
“Spitali i Lezhës do organizojë sërish një protestë sensibilizuese dhe do paraqesë në Ministrinë e Shëndetësisë një listë me kërkesa për plotësimin e tyre”.
Një ditë më parë, mjeku dermatolog Zef Doda u dhunua barbarisht nga një pacient dhe për shkak të plagëve u dërgua drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar. /abcnews.al