Pasi dëshmoi kundër presidentit Donald Trump në një proces gjyqësor, ish-avokati Michael Cohen ka kërkuar nga kreu i shtetit që t’i paguajë të gjitha shpenzimet ligjore, pavarësisht se ka dëmtuar rëndë figurën e tij.
Ish-avokati personal i Donald Trump, Michael Cohen ka paditur organizatën private të presidentit amerikan me argumentin se i detyrohet miliona dollarë në shpenzime ligjore. Paradoksalisht, Cohen akuzon kompaninë e kreut të shtetit se ka refuzuar t’i paguajë atij shpenzimet për proceset gjyqësore në dëm të ish-punëdhënësit e tij. Juristi 52-vjeçar pranoi të bashkëpunonte me autoritetet që po hetonin fushatën elektorale të Trump, si dhe me ato të ndërhyrjes së përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Cohen pretendon se gjyqet ku u përfshi i kushtuan 1.9 milionë dollarë, të cilat sipas tij duhet t’ia paguante kompania e presidentit në bazë të një kontrate të mëhershme.
Gjithashtu, ish-avokati kërkon shlyerjen e disa tarifave të prapambetura teksa përfaqësonte ende Donald Trump. Në muajin maj, Cohen do të përballet me një dënim 3-vjeçar me burg në kuadër të gjyqit ku u vetëdeklarua fajtor për akuzat e shkeljes së ligjeve të fushatës elektorale, kryerjen e pagesave të fshehta dhe për mashtrim të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Vetëm javën e kaluar 52-vjeçari dëshmoi sërish në Kongres, këtë herë duke etiketuar presidentin Trump si një njeri “racist, batakçi dhe mashtrues”. Nga ana e tij, kreu i shtetit e ka akuzuar ish-përfaqësuesin e tij ligjor se ka gënjyer në dëm të figurës së tij për të përfituar një dënim më të lehtë, si dhe ka mohuar shkeljen e ligjeve elektorale dhe mpleksjen me palën ruse./abcnews.al