Dhunohen dy mjekë në krye të detyrës

schedule17:56 - 7 Mars, 2019

schedule 17:56 - 7 Mars, 2019

Vetëdorëzohet në polici, autori që dhunoi një mjek në spitalin e Lezhës. Ndërkohë që një tjetër mjeke është dhunuar në Tiranë teksa po ushtronte detyrën. Ministria e Shëndetësisë ka dënuar ngjarjet dhe ka kërkuar dënim maksimal për agresorët.

Dy mjekë, njëri në Tiranë dhe tjetri në Lezhë janë dhunuar, ndërsa ushtronin detyrën. Mesditën e të enjtes mjeku Zef Doda, dermatolog në spitalin e Lezhës, thuhet se është goditur me mjete të forta nga familjarët e një pacienti pasi ka refuzuar të kryejë vizitën e të afërmit të tyre pa rekomandimin e mjekut të familjes.

Menjëherë pas ngjarjes, Doda ka marrë ndihmën e kolegëve, por për shkak të dëmtimeve serioze është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mbrëmjen e së enjtes është vetëdorëzuar autori që ka dhunuar mjekun, 24-vjeçari Eduard Lleshi. I riu ka treguar në polici se mjeku nuk i ka ofruar shërbim pasi ishte në gjendje të dehur.

Ndërkohë që në urgjencën Kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është dhunuar mjekja specializante me inicialet V.Z. Pas ngjarjeve ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. Ajo kërkon dënim maksimal ndaj agresorëve që dhunojnë mjekët ndërkohë që i kërkon organeve të drejtësisë të reagojnë menjëherë.

Dhuna ndaj mjekëve është kthyer në një fenomen të përsëritur. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshime ligjore në Kodin Penal për të konsideruar goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur dhe një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!