Putin: Sabotuam misionet e 600 spiunëve

schedule22:27 - 6 Mars, 2019

schedule 22:27 - 6 Mars, 2019

Rusia ka sabotuar misionet e rreth 600 spiunëve të huaj. Duke publikuar shifrat, presidenti Vladimir Putin ka vlerësuar punën e agjencive ruse të inteligjencës, që sipas tij kanë mbrojtur informacionet e lidhura me zhvillimin e sistemeve të armatimit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vetëm në vitin 2018 agjencitë ruse të spiunazhit kanë sabotuar misionet e rreth 600 agjentëve të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Pa dhënë shumë detaje, Putin ka saktësuar se bëhet fjalë për 129 zyrtarë rusë që punonin për shërbimet e huaja dhe 465 agjentë nga radhët e këtyre të fundit.

Në fjalimin e mbajtur përpara oficerëve të FSB-së, kreu i Kremlinit e ka cilësuar punën e tyre efikase, sidomos në mbrojtjen e të dhënave që kanë të bëjnë me sistemet e armatimit.

“Agjencitë e huaja të inteligjencës po përpiqen të intensifikojnë aktivitetin e tyre në Rusi, duke kërkuar akses në informacionet politike, ekonomike, shkencore dhe teknologjisë së informacionit”, ka deklaruar Putin. Por nga ana tjetër, vetë spiunët rusë janë akuzuar nga vende të shumta europiane për veprime agresive, përfshirë këtu helmimin me agjent nervor të ish-agjentit Sergei Skripal në Angli. Gjithashtu, shërbimet sekrete të Holandës, Suedisë dhe Republikës Çeke kanë deklaruar se kanë parandaluar sulme kibernetike të përgatitura nga agjentë rusë.

Veç rasteve në fjalë, Moska është akuzuar nga Perëndimi edhe për përpjekje për të ndërhyrë në proceset e ndryshme zgjedhore. Pa përmendur Rusinë, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk paralajmëroi të martën se “forcat anti-europiane” mund të përpiqen të manipulojnë zgjedhjet euro-parlamentare që mbahen në muajin maj./abcnews.al