Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte është zëri i radhës i faktorit ndërkombëtar që i kërkon Kosovës heqjen e taksës për produktet serbe. Nga Beogradi, Conte ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog dhe të distancohen nga veprime të njëanshme.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte u është bashkuar zërave se Prishtina duhet ta pezullojë taksën për produktet serbe, në mënyrë që të rifillojë dialogu me Beogradin. Gjatë një vizite në Beograd, ku është pritur nga presidenti Aleksandër Vuçiç, Conte ka deklaruar se taksa e vendosur nga Prishtina nuk po i shpie palët askund dhe ka shtuar se dialogu është rruga e vetme që dy shtetet të avancojnë drejt Bashkimit Europian.
“Unë e përsëris, sipas mendimit tim, vendimet e njëanshme të marra nga Prishtina nuk çojnë askund. Mendoj se e vetmja mënyrë për të përshpejtuar procesin e dialogut është që të gjitha palët të veprojnë me maturi”, ka deklaruar Conte.
Kreu i qeverisë italiane ka shtuar se, Kosova duhet të tregojë përgjegjësi dhe të punojë për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç është shprehur i vetëdijshëm se pa një marrëveshje me palën kosovare perspektiva europiane e Serbisë do të jetë e bllokuar.
Përpara thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për heqjen e taksës për produktet serbe, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi të martën se qeveria e tij mund ta pezullojë atë për një javë nëse Beogradi tregohet i gatshëm për një marrëveshje të pastër me Prishtinën./abcnews.al