Mamurrasi është një nga qytetet më të varfra në vend. Nga një vendbanim me harmoni e prodhim, sot është kthyer në një qytet me të moshuar që luajnë domino.
Ne mesjetë kronikanët osmanë e quanin Mamur, pjesë në principatat e Topiajve dhe Kastriotëve. Pas luftës së dyte botërore njohu dhe numrin më të lartë të popullsisë, mbi 20 mijë banorë bashkë me fshatrat.
“Ish-qyteti i Mamurrasit, tash është bë fshat, s’ka të ardhura financiare dhe as punë”.
Sot në Mamurras, 30 km larg Tiranës, një qytet mes Laçit dhe Fushë Krujës, banohet nga më pak se 10 mijë frymë.
Dikur u shpërngulen deri nga Kosova, Tropoja e shumë rrethe të vendit për të jetuar këtu. Sot të rinjtë janë larguar dhe ky vend ka marrë një pamje të lodhur.
“S’ka asnjë punë, asnjë lloj gjëje”.
“Populli ka mbet si peshku pa ujë”.
Deri 30 vjet më parë Mamurrasi njihej për bujqësi e vreshtari. Kodrat ishin të mbjella me vreshta dhe fushat me perime. Por aktualisht shumë njerëz këtu nuk sigurojnë mbijetesën.
“Jetojnë për faqe të zezë, as bukë s’kanë për të ngrënë për darkë një pjesë”
“Ka 5-6 vjet që s’ka asnjë lloj investimi, bizneset e vogla drejt falimentimit, një pjesë janë për mbijetesë. Nuk ka asnjë mundësi punësimi këtu”.
Më së shumti të moshuarit luajnë domino pranë lagjeve të tyre. Punë nuk ka dhe Mamurrasi nuk është më Qyteti i Mimozave.
Në vend të shumë pemëve që mbushnin hapësirën me aromë, makinat e shumta ua kanë marrë frymën mamurrzakëve. /abcnews.al