Një transplant qelizash staminale i ka mundësuar një pacienti anglez që të çlirohet nga virusi HIV. Bëhet fjalë për një praktikë mjekësore të vështirë, që aplikohet për të dytën herë në 10 vjet dhe ekspertët thonë se mund të jetë më efikase në të ardhmen.
Një pacient anglez i prekur nga virusi HIV është kuruar nga infeksioni falë një transplanti qelizash staminale. Lajmin e bën të ditur revista mjekësore “Nature”, sipas të cilës bëhet fjalë për rastin e dytë të këtij lloj mjekimi.
Pacienti, një qytetar nga Londra, i cili po trajtohej edhe për kancer, është shëruar nga HIV-i pas 18 muaj mjekim dhe nuk po merr më medikamentet e posaçme. Sidoqoftë, studiuesit paralajmërojnë se është ende herët të thuhet se personi është shëruar nga virusi.
Sipas ekspertëve, ky lloj mjekimi nuk është shumë praktik për pacientet me HIV, por mund të ndihmojë në të ardhmen për të gjetur një kurë më të përshtatshme.
Pacienti, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ishte diagnostikuar me HIV në vitin 2003 dhe avancoi në limfomën Hoxhkin në vitin 2012. Ai iu nënshtrua kemioterapisë dhe më pas impiantit të qelizave staminale që u ofruan nga një donator rezistent ndaj HIV-it.
Studiuesit nga Universiteti i Londrës, Kembrixhit dhe Oksfordit ishin pjesë e operacionit. Kjo është hera e dytë që një pacient trajtohet në këtë mënyrë dhe është çliruar nga virusi. 10 vjet më parë në Berlin një pacient iu nënshtrua transplantit të palcës së kockës nga një donator që ishte imun ndaj virusit./abcnews.al