Në mbledhjen e radhës të Komisionit Hetimor për inceneratorët është thirrur sot për të dëshmuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiaku është pyetur nga kryetarja Jorida Tabaku nëse i njeh tre personat që janë në kërkim për këtë aferë, Klodian Zoto, Klodian Mërtiri dhe Stela Gugallja.
Me ironi, Veliaj tha se i njeh vetëm nga portalet, nga fotot me zyrtarin e PD, Gert Bogdani në Zimbabve. Sakaq, Tabaku iu drejtua duke i thënë se dëshmia e rremë përbën vepër penale.
Pjesë nga debati:
Erion Veliaj: I kam parë në fotografi me Gert Bogdanin.
Jorida Tabaku: Ju nuk keni bërë asnjë udhëtim?
Erion Veliaj: Nuk kam bërë asnjë udhëtim, por jam njoftuar nga mediat për udhëtimin e tyre në Zimbabve me funksionarë të Partisë Demokratike.
Jorida Tabaku: Nuk keni kryer asnjë takim, zyrtar ose jo zyrtar në lidhje me kontratën, bisedë telefonike?
Erion Veliaj: Jam njohur nga mediat për udhëtime të tyre me zyrtarë të PD në Zimbabve.
Jorida Tabaku: Kontrata në Zimbabve nuk është objekt i këtij komisioni. Ju jeni thirrur për kontratën e Tiranës. Unë patjetër që do ta vë në dispozicion atë.
Erion Veliaj: Ju thashë i njoh nga portalet me drejtues të PD në Zimbabve
Jorida Tabaku: Ju kujtoj se dëshmia e rremë përbën vepër penale.
g.v/abcnews.al