Dy ministra dhe dy kryebashkiakë dëshmojnë sot për aferën e Inceneratorëve

schedule10:08 - 21 Shkurt, 2022

schedule 10:08 - 21 Shkurt, 2022

Komisioni hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane do të vazhdojë sot me seancën e radhës ku pritet të merren ën pyetje zyrtarë qendrorë e vendorë.

Në orën 10.30 pritet te nise Komisioni Hetimor kur është thirrur për të dëshmuar administratorja e Inceneratorit të Tiranës Ariola Kodra. Kujtojmë se zonja Kodra nuk është paraqitur në tre thirrje të Komisionit. Ligji parashikon shoqërim me forcë nga Policia e Shtetit e personave që refuzojnë dëshminë në Komisionin Hetimor.

Ndërkohë në orën 13.00 janë thirrur të dëshmojnë:

1. Emiriana Sako – Kryetare e Bashkisë Durrës.

2. Shkëlqim Cani – Ish- Ministër i Financave.

3. Belinda Balluku – Ministre e Infrastrukturës dhe Transportit.

4. Armando Subashi – Kryetar i Bashkisë Fier.

5. Arben Ahmetaj – Zv. Kryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.

Kujtojmë se tre ditë më parë ishte SPAK që mari në pyetje si dëshmitar edhe kryetarin e bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Kuvendi dhe SPAK po hetojnë njëkohësisht për dyshimet mbi aferën korruptive të incineratorëve, fondet për të cilat shkojnë deri në afro 430 milionë euro.
Komisioni hetimor pyeti tre ditë më pare edhe sekretaren e përgjithshme e ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë, Viola Haxhiademi, lidhur me planin e investimeve në incineratorin e Tiranës.
Partia Demokratike e kërkoi me ngulm këtë komision hetimor pas dyshimeve, se me 3 incineratorët po ndodhnin abuzime të rënda me fondet publike dhe po shkeleshin procedurat ligjore me lejet, që i hapnin rrugën rryshfeteve.

Kryeministri Edi Rama, i cili pritet të dëshmojë të mërkurën para komisionit hetimor, në përgjigje të komenteve të qytetarëve në Facebook, theksoi se lidhur me këtë temë ka zmadhime të qëllimshme mediatike dhe politike, dhe hetimet e SPAK do të zbulojnë të vërtetën. /abcnews.al/