Në Presidencë dhe në Qeveri nuk është asnjë nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë. Lëvizja Vetëvendosje e cila tani udhëheq me shtetin, nuk ishte pjesë e Kuvendit atëhërë. Kryeministri Albin Kurti me këtë organizatë – që më vonë do të bëhej parti politike e do të fitonte me mbi 50% të votave në zgjedhje parlamentare 13 vjet pas pavarësisë – e kundërshtonte zëshëm në rrugë pakon e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Martti Ahtisaari.
Ajo pako, e cila i vuri kornizat e shtetit të Kosovës, nuk e bindte Kurtin që do ta sillte shpalljen e pavarësisë. Kurti besonte se shpallja e pavarësisë do të mbetej “veç ëndërr” dhe shprehej se ajo do të ishte vetëm “autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë”.
Ai thoshte se politikanët e Kosovës atëherë ishin të varur, dhe se “me politikanë të varur nuk ka pavarësi”.
“Hashim Thaçi sheh andërr qysh me u ba kryeministër. Ramush Haradinaj e sheh andërr Hagën. Agim Çeku e sheh andërr Ramush Haradinajn. Veton Surroi e sheh andërr Titon. E Fatmir Sejdiu e sheh andërr shtafetën e Titos. Me kësi politikanë që kanë kësi andrra, pavarësia ka me mbetë veç andërr”, shprehej Kurti më 10 shkurt 2007, në një protestë të përgjakshme ku u vranë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Presidentja Vjosa Osmani, atëherë dhe përgjatë një dekade e pozicioniar shumë larg nga Kurti, shërbente si këshilltare e presidentit Fatmir Sejdiu, i cili i priu procesit që për produkt e pati Pakon e Ahtisaarit dhe shpalljen e pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008, për herë të parë nënshkruhej një dokument i vlefshëm ku përmendej “Republika e Kosovës”. Nuk ishte më slogan sekret i shkruar në mure nën okupim dhe për të cilin mund të kalbeshe në burg. Tash, Kosova ishte shpallur njëmend shtet dhe u përqafua menjëherë nga shtetet më të fuqishme në botë, të cilat e njohën që në orët e para.
Hydajet Hyseni është i vetmi deputet aktual i LVV-ë që kishte mundur ta nënshkruante deklaratën e pavarësisë atëbotë, kur ishte pjesë e PDK-së.
Përveç tij, Armend Zemaj nga LDK, Behgjet Pacolli nga AKR dhe Enver Hoxhaj e Xhavit Haliti nga PDK, patën fatin ta ngrisnin dorën për të votuar pro deklaratës së pavarësisë dhe ta nënshkruanin atë, atë të diele pasdite më 17 shkurt 2008.
Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), është i vetmi përfaqësues nga pakicat që ishte nënshkrues i deklaratës së pavarësisë dhe që është edhe sot deputet.
Ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, si dy prej nënshkruesve kryesorë të deklaratës së pavarësisë e pritën në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë këtë 14-vjetor.
Më 4 nëntor 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kryesisht gjatë luftës. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.
Thaçi e kishte lexuar deklaratën atë ditë dhe vlerësohet si njeriu që e shpalli pavarësinë. Krasniqi mendon ndryshe.
“Pasi është votuar deklarata, unë kam dalë në foltore, dhe kam dhënë rezultatin e votimit. Dhe, si akt i shpalljes së pavarësisë do të duhej të merrej ai moment, pas votimit të deklaratës dhe jo leximi i deklaratës”, pati thënë Krasniqi në KTV në vitin 2019.
Presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, e kishte nënshkruar i pari Deklaratën. Ai pati thënë se deklaratën ishte dashur ta lexonte Krasniqi.
Sejdiu sot ishte në mesin e të ftuarve në ceremoninë ku parakaluan FSK-ja dhe Policia e Kosovës. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk e përmendën fare në fjalimet e tyre. Ata nuk e përmendën as ish-kryeministrin Thaçi.
Nga nënshkruesit e tjerë të deklaratës së pavarësisë, disa nuk jetojnë më, e disa e kanë lënë politikën. Ka edhe nga ata që janë nëpër parti politike, por në Kuvend mbesin vetëm 6.
Pas atij nënshkrimi, angazhimi i ri që kërkohej do të ishte përkushtimi ndaj detyrave më prozaike të reformave demokratike në përputhje me perspektivën evropiane./Express