Titulli në Angli do të vendoset nga gara mes Liverpulit dhe Mançester Sitit. Dy skuadrat janë shkëputur në renditje, ndërsa trajnerët e tyre janë të lumtur për mënyrën sesi u arritën fitoret
Diferenca mbeti po ajo sepse rivali nuk gaboi, por mënyra sesi u fitua ndeshja krijoi më shumë besim për titullin. Liverpuli mundi 5-0 Uatfordin duke lënë pas dy barazime pa gola, ndaj Bajernit dhe Mançester Junajtidit, dhe mbajti vendin e parë në Premier Ligë.
Sadio Mane shënoi dy gola, dhe njëri prej tyre ishte sublim, me goditje me takë, shenjë e klasit të tij të lartë, por edhe e klasit të skuadrës së Jurgen Klopit, klas që vetëm pak ditë më parë ishte kritikuar nga trajneri i Junajtidit, Solskjer.
Norvegjezi u kishte thënë lojtarëve se “Liverpuli nuk ka shans për titullin, nuk ka klasin e duhur, nuk më bëri shumë përshtypje”. Besohet se do t’i kenë bërë përshtypje golat e Manesë, i Origit dhe dy golat e mbrojtësit Van Dajk.
Liverpuli mbajti kreun e renditjes me 69 pikë ndaj 68 të Sitit, që iu fal një penalltie të Kun Agueros për të mundur Uest Hemin në “Etihad”.
“Kështu duhet të luhet futbolli, – deklaroi i lumtur Jurgen Klopi, – një fitore 5-0 është e tillë, por unë dua të vlerësoj edhe mbrojtësit tanë, dhe portierin që bëri dy pritje të mëdha. Kundërshtari ishte shumë i fortë. Gjithsesi, nesër është një ditë e re, të harrojmë fitoren dhe të merremi me atë që na pret”.
Mançester Siti arriti fitore të vogël, por gjithsesi plotësisht të merituar. U shënua vetëm një gol, ai nga Kun Aguero me penallti në pjesën e dytë, por mund të ishin realizuar pesë apo gjashtë. Uest Hemi pati vetëm një rast gjatë gjithë ndeshjes.
“Do të ndodhin shumë gjëra deri në fund të sezonit, – u shpreh Guardiola, – Ka edhe 10 ndeshje për t’u luajtur dhe çdo fitore vlen tri pikë. Besoj se ne dhe Liverpuli, do të humbasim pikë, pra le të presim deri në fund. Fitorja ishte e mirë, dhe le të mendojmë tani për ndeshjen e radhës”.
Mediat vlerësuan siç duhet dy pretendentët për titull. “Deili Meil”: Super Sadio kthen Liverpulin siç duhet të luftën për titull, duke mbajtur epërsinë me 1 pikë në krye të Premier Ligës!
Aguero i saktë dhe Siti jep një goditje vareje për të qëndruar pranë Liverpulit! Liverpuli kryeson me 69 pikë ndaj 68 të Sitit, ndërsa Totenhemi mbeti prapa pas humbjes 0-2 në fushën e Çelsit./abcnews.al