Kriza në Ukrainë vijon që të jetë një ndër shqetësimet kryesore në botë këto kohë veçanërisht për vendet perëndimore që kanë rritur dhe paralajmërimet për një pushtim rus.
Në kuadër të kësaj situate shumë nga vendet perëndimorë kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Ukraina, dhe pse Moska deri më tani e mohon me vendosmëri çdo synim për veprim ushtarak .
Sekretari i Shtetit Anthony Blinken mëngjesin e kësaj të diele ka përsëritur sërish se rreziku i një pushtimi rus është i pashmangshëm për të justifikuar largimin e pjesës më të madhe të personelit të ambasadës amerikane në Kiev.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Honolulu pas takimit me ministrat e jashtëm të Japonisë dhe Koresë së Jugut, Blinken përsëriti se kanalet diplomatike me Rusinë për krizën e Ukrainës mbeten të hapura dhe se e vetmja rrugë përpara është që Rusia të tërhiqet.
Nga ana tjetër ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Ëallace ka paralajmëruar se Rusia kishte vendosur 130,000 trupa dhe armë të rënda përgjatë kufirit me Ukrainën , duke përmendur një kërcënim të afërt pushtimi.
Ndërkohë shumë vende deri më tani kanë bërë thirrje dhe po tërheqin qytetarët e tyre nga Ukraina, duke përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Holandën.
Gjatë samitit të djeshëm, Joe Biden dhe Emanuel Macron patën biseda telefonike me presidentin rus Putin , duke bërë të qartë gatishmërinë e aleatëve perëndimorë për të reaguar. Biseda mes presidentit amerikan dhe homologut të tij rus ka zgjatur një orë e 2 minuta.
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se nëse Rusia do të pushtojë Ukrainën, SHBA dhe aleatët e saj do t’i impononin Rusisë kosto të menjëhershme dhe të rënda.
Biden i kërkoi Putinit të përshkallëzojë tensionet përmes diplomacisë. Nga ana e tij, Kremlini tha se Putini i kishte përcjellë homologut të tij amerikan se shqetësimet e sigurisë së SHBA-së mbi Rusinë nuk i kishin marrë parasysh shqetësimet kryesore dhe se Moska do të përgjigjet së shpejti./abcnews.al