Aksioni anti-drogë, policia kthen “përmbys” 300 objekte në Vlorë, por del duarbosh

schedule20:41 - 11 Shkurt, 2022

schedule 20:41 - 11 Shkurt, 2022

Nga aksioni anti-drogë i nisur me bujë ditën e sotme në Vlorë, nuk është sekuestruar asnjë rrënjë kanabisi.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se policia ka bastisur rreth 300 objekte, por nuk ka konstatuar bime narkotike. Në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 80 forca policie dhe 3 grupe FNSJ. Operacioni u shtri kryesisht në Selenicë dhe Himarë.

Kontrollet për drogë janë shtrirë në të gjithë vendin. Pasditen e sotme policia e Tiranës ka zbuluar një shtëpi që përdorej si bazë për prodhimin dhe magazinimin e lëndëve narkotike në Ndroq. Bëhet fjalë për një ndërtesë, në brendësi të së cilës është gjetur lëndë narkotike të mbjellura si edhe të gjitha aparaturat e tjera të përshtatshme për kultivimin e kanabisit.

Lexo edhe: Zbulohet një “shtëpi bari” në Tiranë, shoqërohen dy punonjës të OSHEE-së

Policia nuk ka gjetur askënd në shtëpi, ndërsa janë shoqëruar dy punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre pasi nuk kanë njoftuar për sasinë e madhe të energjisë që konsumohej për shkak të llampave të fuqishme.

Pas një urdhri të dhënë nga drejtori i policisë Gledis Nano aksioni do vijojë edhe në ditët në vijim në të gjitha qarqet, nga ora 9:00 deri në orën 16:00.

Në terren do të dalin edhe punonjësit e sektorëve dhe seksioneve të tjera dhe jo vetëm ata të narkotikëve. Sipas urdhrit, kontrollet do të zhvillohen në banesa, objekte të mbyllura, sera, depo, magazina, tunele, ish reparte ushtarake, ish depot e rezervave shtetërore, shtëpi të braktisura, stane e stalla. Për policinë këto ambiente shfrytëzohen individë apo grupe kriminale për kultivimin e bimëve narkotike apo përgatitjen e mbjelljes së fidanëve të drogës. /abcnews.al