Zbulohet një “shtëpi bari” në Tiranë, shoqërohen dy punonjës të OSHEE-së

schedule17:25 - 11 Shkurt, 2022

schedule 17:25 - 11 Shkurt, 2022

Policia e Tiranës ka zbuluar një shtepi që përdorej si bazë për prodhimin dhe magazinimin e lëndëve narkotike në Ndroq. Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një sasi të madhe kanabisi, ndërsa policia është ende duke bërë verifikimet përkatëse për të patur një panoramë më të qartë .

Bëhet fjalë për një ndërtesë, në brendësi të së cilës është gjetur lëndë narkotike të mbjellura si edhe të gjitha aparaturat e tjera të përshtatshme për kultivimin e kanabisit.

Policia nuk ka gjetur askënd në shtëpi, ndërsa janë shoqëruar dy punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre pasi nuk kanë njoftuar për sasinë e madhe të energjisë që konsumohej për shkak të llampave të fuqishme.

Laboratori është gjetur gjatë kontrolleve të ditës së sotme, një operacion i madh anti-drogë që ka përfshirë të gjithë vendin.

Operacioni i sotëm

Për shkak se vitin e kaluar, një nga problematikat e hasura në polici ishte kultivimi i drogës në sera e godina të pabanuara, këtë të premte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano ka urdhëruar vartësit të nisin një operacion për kontrollin e territorit.

Në urdhrin që gazetarja e ABC, Xhensila Kodra, ka siguruar, thuhet se operacioni do të kryhet çdo ditë në të gjitha qarqet, nga ora 9:00 deri në orën 16:00.

Në terren do të dalin edhe punonjësit e sektorëve dhe seksioneve të tjera dhe jo vetëm ata të narkotikëve.

Sipas urdhrit, kontrollet do të zhvillohen në banesa, objekte të mbyllura, sera, depo, magazina, tunele, ish reparte ushtarake, ish depot e rezervave shtetërore, shtëpi të braktisura, stane e stalla. Për policinë këto ambiente shfrytëzohen individë apo grupe kriminale për kultivimin e bimëve narkotike apo përgatitjen e mbjelljes së fidanëve të drogës.

Për të mos dekonspiruar operacionin, Nano ka vendosur që kontrollet nuk do të kryhen nga oficerët e qarkut. Disa grupe të FNSH-së së Fierit do të shkojnë në Berat e Gjirokastër, në Lezhë do të ketë kontrolle nga efektivë të Shkodrës.

Në terren kanë dalë mbi 1800 efektivë të ndarë në mbi 400 grupe. Ndërsa operacionet në çdo qark mbikëqyren nga drejtues policie në Drejtorinë e Përgjithshme. /abcnews.al