Gjykata Europiane e Auditit “fshikullon“ KE-në: Pak impakt e jo efikase për forcimin e shtetit ligjor në Ballkan

schedule17:38 - 10 Shkurt, 2022

schedule 17:38 - 10 Shkurt, 2022

Nga Erisa Zykaj

Me raportin mbi Ballkanin Perëndimor, Gjykata Europiane e Auditit vë gishtin ku dhemb plaga. E përmbledhur në një fjali, konkluzioni i kësaj gjykate mund të artikulohet: “Mbështetja e Bashkimit Europian edhe pse e rëndësishme për reformat e integrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka pak impakt dhe është joefikase për reformat e sundimit të ligjit”.

Me këtë konkluzion të nxjerrë nga një analizë e detajuar bazuar në dokumentacionin e disa organizatave, Gjykata e Auditit evidenton se reformat kyçe për transformimin e vendeve të Ballkanit hasin në një problematikë të dyfishtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e vullnetit politik për këto reforma në vendet e Ballkanit, që padyshim cenojnë progresin në reforma. Por bëhet fjalë gjithashtu për mungesën e efikasitetit të mbështetjes nga Bashkimit Europian në reformat e sundimit të ligjit. Është për këtë arsye, që anëtari i Gjykatës Europiane të Auditit është thirrur në 10 shkurt nga komisioni i buxhetit të Parlamentit Europian dhe komisioni i punëve të jashtme për të ndarë gjetjet e raportit me këtë komision.

“Bashkimi Europian ka investuar një kapital të konsiderueshëm politik dhe financiar në reformat e integrimit në Ballkanin Perëndimor. Për BE-në është strategjike që ky proces të përfundojë me sukses. Dështimi do të kishte rrjedhoja serioze. Me përjashtim të disa progreseve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, situata është shqetësuese. Shumë studime tregojnë, se qeveritë në rajon janë bërë më autokratike në dhjetëvjeçaret e fundit edhe pse kanë avancuar në integrimin europian. Ka elemente të kapjes së shtetit në nivelet e administratës dhe qeverive, që përfshijnë lidhjet me korrupsionin dhe krimin e organizuar “është shprehur Juhan Parts.

Sipas tij arsyeja pse mbështetja e BE-së ka pak impakt për progresin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor lidhet me dy faktorë: “Sigurisht mungesa e vullnetit politik nga vendet aspirante ndikon. Por gjithashtu Bashkimi Europian nuk ka gjetur mënyrën efektive për të adresuar këto realitete. Eksperienca na tregon, se nëse reformat nuk plotësohen në kohë, ka një rrezik lodhjeje lidhur me mbështetjen nga qytetarët dhe gjithashtu ka një rrezik që të vihen në pikëpyetje paratë e taksapaguesve europianë” është  shprehur ai, duke ju referuar raportit të Gjykatës Europiane të Auditit. Po cilat janë këto gjetje ? ABC sjell gjetjet më të rëndësishme të raportit.

Më shumë se 20 vjet mbështetje nga BE: kapja e shtetit dhe korrupsioni s’janë frenuar

Për më shumë se dy dekada, Bashkimi Europian mbështet zbatimin e agjendës së reformave tê integrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndihma e BE-së është fokusuar në mbështetje financiare prej më shumë se 700 milionë euro midis 2014 dhe 2020, si dhe dialogut politik. Por pavarësisht angazhimit 20 vjeçar me vendet e Ballkanit, mungesa e efikasitetit të mbështetjes së BE-së në rajon është shprehur qartë në këtë paragraf të raportit  të Gjykatës Europiane e Auditit: “Treguesit e korrupsionit të Transparency International dhe Bankës Botërore konfirmojnë se, pavarësisht viteve të veprimit të reformës së BE-së, kapja e shtetit dhe korrupsioni i përhapur nuk janë frenuar”.

Sipas raportit, përparimi në situatën e sundimit të ligjit në rajon ka qenë përgjithësisht mjaft i kufizuar dhe qëndrueshmëria e reformave ka rezultuar e vështirë për t’u arritur. “Pavarësisht dekadave të mbështetjes politike dhe ndihmës financiare të BE-së, problemet themelore vazhdojnë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Këto përfshijnë problemet me pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin që mbetet i përhapur, dhe lirinë e shprehjes” thuhet në raport. Aty theksohet, se progresi modest i bërë gjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetjes së BE-së të ofruar në procesin e anëtarësimit. “Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë nëse nuk japin rezultate të prekshme.” thuhet në raportin e Gjykatës Europiane të Auditit.

Mungesa e parakushteve të detajuara cenon rezultatin

Masat për të adresuar kapacitetet e dobëta administrative dhe vullnetin politik janë shumë të pakta dhe shpesh joefektive. Vihet në dukje aplikimi jo konsistent i parakushteve nga Komisioni Europian për financimin dhe zbatimin e projektit. Raporti ndalet në 18 projekte, ku synimi ishte rritja e profesionalizmit, llogaridhënies dhe efikasitetit të institucioneve të synuara shtetet e rajonit. Komponenti kryesor ishte ngritja e kapaciteteve të aktiviteteve të financuara. Këtu kritikohet mungesa e veprimeve specifike që do t’u mundësonin atyre të zbatonin angazhimet  e ndërmarra nga vendet e rajonit. “Vëmë re se disa delegacione të BE-së janë përpjekur të ndërhyjnë përmes dialogut politik për të siguruar financimin dhe personelin e nevojshëm për reformat e financuara nga BE. Megjithatë, fakti që marrëveshjet e granteve nuk përmbajnë parakushte të detajuara e ka kufizuar atë që ato kanë qenë në gjendje të arrijnë” thuhet në raport.

Nuk parashikohet pezullim i qartë i ndihmës së BE-së në rast abuzimi

Në mënyrë të ngjashme, BE-ja ka shfrytëzuar shumë rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues nuk respekton parimet bazë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ndërsa shpërblimi i performancës 2020 forcoi lidhjen midis progresit në themel dhe financimit shtesë IPA II, nuk kishte asnjë dispozitë apo kusht që të lidhte mungesën e progresit ose rrëshqitjen me financimin e reduktuar, në fusha specifike me ndihma intensive si infrastruktura ose zhvillimi rural. Sipas raportit, kërkesat shtesë  janë një lloj kushtëzimi më efektiv, pasi ato mund të shkaktojnë korrigjime kombëtare duke kërkuar një reduktim të menjëhershëm të ndihmës. Por ky mekanizëm nuk zbatohet sistematikisht. ‘ IPA II – ndryshe nga skema origjinale IPA – nuk parashikon në mënyrë eksplicite mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një vend përfitues nuk respekton parimet bazë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut” thuhet në raport.

Raportet e KE-së reflektojnë rezultate sasiore dhe jo reformat në terren

Sipas Gjykatës Europiane të Auditit, nëse veprimi i BE-së duket se ka kontribuar në reforma, kjo është për shkak se raportet priren të fokusohen në rezultatet sasiore, dhe jo mjaftueshëm në atë që reformat kanë arritur në të vërtetë. Vlerësimet e performancës të kryera nga auditorët e BE-së japin një pamje krejtësisht të ndryshme. “Komisioni monitoroi rregullisht të gjitha projektet nën shqyrtim, por vlerësimi i performancës nuk ishte gjithmonë i plotë. Kjo pasi raportimi përgjithësisht fokusohej në aktivitete sesa në rezultate”, thuhet në raport. Raportet që ne shqyrtuam përshkruanin gjithmonë atë që ishte bërë, duke i lidhur aktivitetet me objektivat e projektit, por jo gjithmonë atë që ishte arritur në përfundim të projektit, veçanërisht në formën e rezultateve. Raportimi jo i plotë është shpesh rezultat i mangësive në hartimin e një projekti, dhe në veçanti kuadrin e tij logjik” thuhet në raport. Më tutje në raport thuhet, se zakonisht, kur korniza logjike është përcaktuar mirë në fazën e përgatitjes, me treguesit e prodhimit dhe të rezultatit duke përfshirë vlerat bazë dhe objektivin, raportimi është më i qartë dhe është e mundur të monitorohet progresi të paktën në nivelin e rezultateve

Gjykata rekomandon, që Komisioni Evropian duhet të forcojë mekanizmin për promovimin e reformave të sundimit të ligjit, të rrisë mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile dhe burimet e pavarura të medias, duhet të lidhë financimin më ngushtë me përparimin në sundimin e ligjit dhe të përmirësojë raportimin e projekteve dhe monitorimi

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!