Nga balta e Superligës në Bernabeu, babai rrëfen jetën e Myrto Uzunit

schedule15:51 - 8 Shkurt, 2022

schedule 15:51 - 8 Shkurt, 2022

Nga Gentian Duka:

Myrto Uzuni bëri transferimin më të mirë në karrierë, por kalendari I La Ligas I rezervoi atij një debutim ëndrrash. 26 vjeçari luajti këtë fundjavë ndeshjen e parë me klubin e Granadës dhe këtë e bëri në “Bernabeu” përballe Real Madrid. Ëndrra e djaloshit beratas që të luante në elitën e futbollit spanjoll u përmbush, ndërsa tashmë synimet e tij janë të lërë gjurmë në një nga kampionatet më të forta të botës.

Por arritja në këto nivele nuk ka qenë e lehtë për Uzunin. Babai I tij, Artan Uzuni tregon për ABC sakrificat që ka bërë për të arritur majat. Artani rrëfen se në moshën 10 vjeçare të Myrtos, ai u detyrua të largohej drejt Greqisë duke marrë edhe para borxh, në mënyrë që të ndiqte ëndrrën e djalit.

“Kur Myrto ishte 10 vjeç, ne jemi larguar si familje nga Shqipëria me lek borxh për në Greqi. Atje Myrto filloi të punonte dhe të stërvitej njëkohësisht. Në Shqipëri dihen gjërat. ekonomia ka qenë shumë e dobët. Edhe Myrto ka qenë vetë I sakrificës. Myrto mundohej që mos të merrte para në shtëpi, ishte kursimtari madh.”

Myrto po përjeton ëndrrën e tij, por kush e zbuloi talentin e tij?

“Që në moshën 8 vjeçare, Myrto nuk e ka ndarë topin nga këmba, madje edhe në krevat nuk e lëshonte. Unë dallova talentin e tij dhe e ndoqa vetë. Unë e kam pasur vetë ëndërr futbollin dhe doja t’ia fusja në gjak edhe Myrtos”

Kalimi në La Liga ndodhi në ditën e fundit të merkatos, por Artani shprehet se për djalin e tij kishte shfaqur shumë interes edhe Kopenhagen.

“Ne po e prisnim një transferim të Myrtos këto kohët e fundit, pasi kishte shpërthyer si futbollist. Kishte rezultate të shkëlqyera. Myrto e ëndërronte një transferim. Ishte Kopenhagen. Kishte edhe ekipe të tjera, por nuk ishin të bindura. Kopenhagën kishte bërë ofertë zyrtare prej 4 milion eurosh. Myrto dëshironte La Ligën, pasi nga aty mund të bënte një tjetër hap të madh.”

Artani rrëfen edhe momentin e parë kur Myrto mori ftesën nga kombëtarja

“Ai ishte te Lokomotiva Zagrebit. Ai e kishte ëndërr një ftesë në kombëtare, ndërsa edhe në Greqi ai mbante flamurin kuqezi në dhomën e tij. Ishte në stërvitje kur unë I bija telefonit. I thashë që ka ardhur ftesa në kombëtare atëherë ai ishte njeriu më I lumtur në botë.”

Myrto Uzuni e nisi karrierën te Tomorri, Berat në fusha me baltë, për të kaluar më pas tek Apolonia dhe më pas te Laçi në Superliga. Talentin e tij e pikasi Lokomotiva Zagrebit ku luajti për dy sezone. Në vitin 2020 beratasi bëri një tjetër hap të madh në karrierë duke u transferuar në Hungari te Ferencvarosh. Aty ndihmoi ekipin të shpallej kampion I vendit dhe të kualifikohej në Europa dhe Champions League, madje duke I shënuar Juventusit të Ronaldos dhe duke festuar si ai përpara atij. Uzuni është shembulli që duhet ndjekur, të cilin nuk e ndalën baltat e fushave shqiptare dhe po luan në elitën e futbollit spanjoll.
/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!