Arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në sallën e gjyqit për gazetarin Artan Hoxha ishte një cirk, për ta bërë atë kokë turku. Nëse do të provoheshin të gjitha akuzat ndaj Tahirit, sipas gazetarit do të rrëzohej e gjithë qeveria.
“Që është kokë turku s’e them vetëm unë, janë juristë dhe njerëz publike që e thonë. Kur njerëzit e kishin harruar Tahirin ai u dënua. Është dënuar me vendim të formës së prerë. Ai u akuzua për akuza shumë të rënda dhe nëse do të provoheshin do të rrëzonin gjithë qeverinë. Pjesëmarrje në roganizatë kriminale, trafik narkotikësh… Kur u dha vendimi herën e parë ishte i njëjti me tani, por dënimi atëherë do ekzekutohej me kusht”, tha Hoxha në “Radarin Informativ” në “ABC NEWS”.
Hoxha evidenton një detaj. Në të gjitha seancat e Tahirit edhe kur kishim masa të shtrënguara për shkak të COVID, në sallën e gjyqit kanë qenë përfaqësues të ambasadës së SHBA.
“Ambasadori Lu ka dhënë jemi të shkurajuar nga ky dënim kur është dhënë dënimi i parë për Tahirin. Pasi u dha vendimi të premten reagimi i parë ishte i Kim e cila deklaroi të kundërtën këtë radhë. Ajo tha se nuk ka më pandëshkueshmëri. Parë në këtë kuptim qoftë nga një element shumë i veçantë, në procesin ndaj Tahirit edhe kur gjykata ka qenë e bllokuar për shkak të covid në sallën e gjyqit kanë qenë 2 përfaqësues të ambasadës amerikane”.
Dënimi i Tahirit sipas Hoxhës është një trofe për Reformën në Drejtësi.
“Deri më tani, vendimi i dënimit të Tahirit është më i rëndi ndaj një pushtetari. Lefter Koka është ende në hetim. ky i Tahirit është vendim i formës së prerë. Duke njohur dosjen, sulmet ndaj Tahirit, unë e kam parë dosjen, ajo është ku thërret qameti… Dosja është e njëjta. E njëjta akuzë. nuk ka asgjë të re. Ajo që kërkojmë ne, ne kërkonim një dënim që të ndëshkonte atë që ndodhi, ndërkohë kemi dënim që përjashton atë që ndodhi por kemi një dënim për një trofe të reformës në drejtësi, sepse është zyrtari i parë i dënuar nga organet e reja të drejtësisë”.
Pas seancash maratonë, Apeli i GJKKO e dënoi ish ministrin Tahiri të premten me 5 vite burgim që me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj heqje lirie. Ai u shpall fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndryshe nga prokuroria qe kërkoi dënimin me 12 vite burg për trafik droge e grup të strukturuar kriminal. Sipas gjykatës, Tahiri ka ndihmuar grupin e Habilajve në trafikun e drogës gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit nga viti 2013-2017-të. Ish-ministri prej tre ditësh po mbahet i izoluar në burgun 313-të në Jordan Misja. Paraditen e së hënës Tahiri ka zhvilluar takime në ambientet e paraburgimit me familjarët dhe dy avokatët e tij mbrojtës, Maks Haxhiaj dhe Dritan Jahaj. Në një intervistë për ABC live, Jahaj tregoi se Tahiri ishte i qetë, ndërsa në ditët në vijim do ti drejtohen me rekurs gjykatës së lartë për vendimin e apelit. Ish-ministri qëndron I izoluar në katin e dytë të godinës numër dy të këtij institucioni dhe qëndron në një dhomë i vetëm i pajisur me frigorifer dhe televizor. Burime nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se, në ditët në vijim pritet transferimi i tij në burgun e Rrogozhinës, kjo për shkak se burgu i Vaqarit është në rikonstruksion. /abcnews.al