Parlamenti i Malit të Zi voton pro rrëzimit të qeverisë së Krivokapiq

schedule21:02 - 4 Shkurt, 2022

schedule 21:02 - 4 Shkurt, 2022

Parlamenti i Malit te Zi votoi me shumicë votash rrëzimin e qeverisë së 42-të së Kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Mosbesimin e qeverisë e votuan 43 deputetë të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi”, kurse 11 ishin kundër. Kundër ishin 11 deputetët (Demokratët, të Drejtat dhe Mali i Zi i Bashkuar).

Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare. Në total votuan 54 deputetë, për mosbesim 43 deputetë, kundër mosbesimit 11 deputetë, kështu që Kuvendi i ka votuar mosbesimin Qeverisë së Malit të Zi.  Në sallë nuk ishte as Kryeministri Zdravko Krivokapiq. Demokratët thanë se votuan “kundër tradhtisë” dhe “kundër mosbesimit”.

Një ditë më parë në parlamentin e Malit të Zi nuk mori mbështetjen e shumicës nisma e Kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq për shkarkimin e Zv/ Kryeministrin Abazoviq. Zoti Krivokapiq e akuzoi zotin Abazoviq se, “me konceptin e qeverisë së pakicës po mashton opinionin dhe po injoron rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi”.

Kërkesat e ndërsjella për shkarkimin e ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disa mujore, si ndërmjet parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë. Si reagim ndaj përpjekjeve për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër Zv/Kryeministrit Abazoviq por edhe të gjithë atyre që mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!