SHBA e kishte futur në listën e zezë, serbi i ikën nga duart policisë së Kosovës

schedule08:58 - 4 Shkurt, 2022

schedule 08:58 - 4 Shkurt, 2022

Millan Radojiçiç ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak, pasi ishte vendosur në listën e të kërkuarve para pak ditësh për rastin “Brezovica”, ka thënë për Albanian Post Prokuroi i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

Bëhet fjalë për rastin e njëjtë të ndërtimeve pa leje ku po hetohet edhe kompania ndërtimore e publicistit Veton Surroi.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, ka konfirmuar Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

“Po, në polici kur i ka dorëzuar dokumentet, në atë moment kur kanë tentuar ta arrestojnë i ka ikur policisë”, tha Maloku.

Ai shtoi se “e kam autorizuar inspektoratin që t’i marrë pamjet kamerave ta shikojmë a kanë funksionuar, për veprimet e tjera e shikojmë të premten”.

Maloku theksoi se do të verifikohet nëse qe neglizhencë e zyrtarëve policorë largimi nga Kosova i Radojeçiç-it.

Por, avokati i Radoiçiç-it, Zhivojin Jokanoviç, ka theksuar se s’ka informacion nëse është arrestuar klienti i tij.

“Jo nuk di kurrgjë, para 20 dite kam folur me të”, tha shkurt Jokanoviç për AP.

Me gjashtë janar, policia e Kosovës ka vazhduar operacionin “Brezovica”, i cili lidhet me ndërtimet paleje në Brezovicë.

Në kuadër të këtij aksioni është bastisur edhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

Maloku gjatë një konference për media pati thënë se rreth 6 milionë euro janë ngrirë dhe janë konfiskuar edhe prova materiale, vetura e armë.

“Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, kishte thënë Maloku.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiç i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.