Deputeti shqiptar refuzon shpenzimet e udhëtimit: Jetoj në qytet, s’ka nevojë të më paguhen

schedule08:29 - 4 Shkurt, 2022

schedule 08:29 - 4 Shkurt, 2022

Një listë me emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë marrë qindra euro nga shteti për shpenzime të udhëtimit, ka ngjallur reagime të shumta. Shpenzimin e këtyre parave, disa prej tyre e kanë arsyetuar se “kështu është e paraparë me rregullore”. Por, është një deputet që kishte refuzuar t’i mbulohen këto shpenzime, shkruan Express.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, në vitin 2015, kishte refuzuar që t’i mbulohen shpenzimet e udhëtimit.

Në deklarimin e pasurisë, adresën e kishte vënë në Ferizaj. Por, meqenëse thotë se nuk e ka ditur se në bazë të këtij deklarimi do t’i bëhej edhe pagesa e shpenzimeve të udhëtimit, ai i ishte drejtuar me një letër Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Përmes kësaj letre, ai kishte informuar se jeton në Prishtinë dhe se s’ka nevojë që t’i mbulohen këto shpenzime.

“Me rastin e plotësimit të formularëve për Deputet, unë kam vënë adresën time në Ferizaj, meqë jam i lindur atje dhe ende zyrtarisht jam banor i Ferizajt dhe jam i propozuar për Deputet nga Ferizaji, duke mos e ditur se Zyra e Financave në bazë të të dhënave të këtij formulari do të bëjë edhe pagesën e shpenzimeve të udhëtimit për Deputet.  Me këtë rast dëshiroj të ju informoj se unë jetoj në Prishtinë dhe nuk ka nevojë të më paguhen shpenzimet e udhëtimit”, thuhej në letrën e Graincës.

Ai kishte kërkuar që t’i zbritet vlera e parave që ishin paguar në muajt paraprak për këtë qëllim.

“Kërkoj nga ju dhe nga zyra e Financave që në muajt në vijim(për çdo muaj), aq sa janë paguar në muajt paraprak të zbritet kjo vlerë deri në rimbursim, gjegjësisht barazimin e kësaj vlere”, thuhej në letrën e Graincës drejtuar Kuvendit.

Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy mauj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja  Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara nga Kanal 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe./Gazeta Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!