Ibrahimaj vizitë “blic” në Korçë: Do nisim verifikimin në të gjithë fasoneritë e vendit

schedule11:40 - 3 Shkurt, 2022

schedule 11:40 - 3 Shkurt, 2022

Një ditë pas protestës së punonjësve së një fasonerie në Bilisht, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka shkuar për të parë nga afër situatën duke dëgjuar të dy palët.

Ajo tha se në fund të dëgjesës do të hartojnë një kontratë që subjekti në fjalë do të jetë i detyruar ta zbatojë për punonjëset. Ibrahimaj paralajmëroi një reformë në të gjitha fasoneritë e vendit.

“Pas protestës së djeshme jemi angazhuar me strukturat që janë duke verifikuar dokumentacionin e punonjësve dhe biznesit. Ka disa ankesa për mospagesë të orëve shtesë apo për punën në fundjavë që duhet të jetë e paguar më shumë sipas kodit të punës. Të tjera problematika që lidhen me kushtet e punës dhe pastërtinë. Kam ulur sot këto të ulem me punonjësit dhe biznesin për të garantuar që të marrin atë që meritojnë.

Gratë kryejnë sakrifica të jashtëzakonshme në punë. Duhet të ulemi bashkë për një kontratë të re pune. Do ndjekim në ditët në vijim që kjo kontratë të ndiqet për punonjëset. Do nisim një proces verifikimi në të gjithë fasoneritë e vendit që kriteret dhe kodi i punës të respektohen. Më tutje nisma për verifikimin e pagave do të vazhdojë edhe me subjekte dhe kategori të tjera”, tha Ibrahimaj.

Disa prej grave që punojnë në fasoneri thonë që nuk do ndalen derisa problemi i tyre të zgjidhet.

“Do vazhdojmë të protestojmë derisa të na zgjidhet e drejta. I lutemi 100 herë të ndizet ngrohësja nuk ndizet. Pastruesja nuk vjen fare. Themi me ardhjen e ministres të zgjidhet. Po nuk na e zgjidhi do vazhdojmë derisa të në vijë e drejta. Do shkojmë edhe më lart. Kushtet janë ekstreme. Papastërti. Ngrohëse duam se nuk kemi. Është ftohtë. Punojmë gjithë muajit. Ka raste asnjë të dielë pushim”, thonë ato

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!