Këtë të premte monologu i Mustafa Nanos në Provokacija u fokusua te përmendja e Zotit nga politikanët. Ai i referohet deklaratave më të fundit nga Basha, Kryemadhi dhe Braçe. Ndërsa pranon ateizmin e tij Nano shprehet se: “Sikur të isha besimtar, mua do më ikte truri prej lehtësisë, me të cilën këta përmendin emrin e Zotit. Shyqyr që nuk jam besimtar. Falë Zotit nuk jam”. Dhe në këtë pikë, ai u bën thirrje të gjithë besimtarëve që politikanët të mos ua përdorin Zotin.
Monologu i plotë
Hej besimtarë, myslimanë e të krishterë, një pyetje kam: Si ndiheni ju kur politikanët shqiptarë flasin për Zotin nëpër rrugë, sheshe, rrjete sociale, etj, kur ata i luten Zotit që t’u japë një dorë në betejat e tyre për v-o-t-ë-n e l-i-r-ë, kundër korrupsionit, për të mirën publike, për të mirën e kombit, etj, etj? Mendoni se ata janë duke iu lutur të njëjtit Zot, të Cilit i luteni edhe ju vetë? Hëm, unë kam dyshimet e mija se Zoti i tyre nuk ka lidhje me tuajin.
Tani, ju e dini, unë nuk besoj në Zotin tuaj, por unë në këtë mes dua t’ju kërkoj një nder. E di, nuk meritoj asnjë nder prej jush, nuk kam bërë asgjë që ta çoj në mendje se ju mund të më gjendeni pranë në një moment të sikletshëm, përkundrazi, gjithçka që kam bërë ju jep të drejtë të më thoni: ik ore, bëhu def!, por kam përshtypjen se mund të na puqen interesat në këtë situatë. Juve mund të ndiheni të pështirosur prej lojës që ata po bëjnë me Zotin, që është edhe i juaji, mbi të gjitha i juaji, madje vetëm i juaji, ndërsa unë ndihem i pështirosur prej pozave të tyre si besimtarë e prej përpjekjeve për të gjetur aleatë në Qiell për betejat e tyre mizerabël në Tokë. Dhe nderin mund të ma bëni duke i dalë për zot Zotit tuaj, të Cilin po ua përdorin. Mos i lini t’ua përdorin!
Lulzim Basha i është rikthyer Zotit sërish. Kish që nga koha e çadrës në bulevard që nuk i binte në mend për Të. Ju kujtohet? Atëherë thoshte se me ndihmën e Zotit gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, ose le ta shikojmë njëri tjetrin në sy, teksa Zoti na sheh (konfidencë prej profeti, ë? kështu ka thënë vërtet: Teksa Zoti na sheh), ose le t’i lutemi Zotit që t’ia hapë veshët Edi Ramës, etj, etj. Në fund fare, e dimë se çfarë bëri Zoti. I hapi veshët Bashës, dhe ky i fundit bëri atë që bëri, e mbylli çadrën. Dhe pas kësaj, Basha nuk foli më për Zotin. Ka filluar të flasë tani prapë. Tok me Monika Kryemadhin. Kjo e fundit është dëgjuar këto ditë t’u thotë të vetëve: Zoti na dhëntë fuqi e forcë! Në tubimin e djeshëm para parlamentit, ajo e mbylli fjalimin e saj me fjalët: Zoti ju rujt!
Është zemëruar Zoti me këtë përdorim që po i bëhet? Nuk duket. Ose të paktën, ne nuk dimë gjë. Por është zemëruar Erion Braçe. Dhe është zemëruar sikur të ishte zëdhënës i vetë Zotit. Para dy ditësh, reagimi i tij ishte me këto fjalë: TANI FLASIN DHE NE EMER TE ZOTIT! OOOOO ZOOOOOT! Kështu ka qenë reagimi, ë, me shumë O. OOOOO ZOOOOOT! Ndërsa dje, Braçe i referohej Papa Françeskut, i cili në një rast ka denoncuar ata që marrin poza prej të krishteri, në një kohë që me Krishtin nuk i lidh asgjë. Dhe Papa Françesku, sipas Braçes, e ka pasur me Bashën e me Kryemadhin.
Çfarë konfuzioni! Braçe për traditë është mysliman. Në këtë rast i referohet Papa Françeskut dhe Krishtit. Mos vallë Braçe është bërë katolik? Jo, nuk është katolik. Do ta kishim marrë vesh po të kishte ndodhur ky konvertim. Atëherë? Atëherë hiç. Braçe flet për Zotin, pa e ditur se për çfarë flet. Ashtu si edhe Basha me Kryemadhin, të cilët për Zotin flasin kuturú. Sikur të isha besimtar, mua do më ikte truri prej lehtësisë, me të cilën këta përmendin emrin e Zotit. Shyqyr që nuk jam besimtar. Falë Zotit nuk jam. /abcnews.al