Ish-kryeministri Sali Berisha, në një dalje televizive mbrëmjen e së hënës, ka treguar detaje nga marrëveshja e arritur me LSI të cilën e bëri publike sot gjatë prezantimit të kandidatëve në 6 bashki.
Berisha u shpreh se takimet janë bërë në të gjitha nivelet. Ai madje shtoi se është takuar personalisht dhe me kreun e shtetit, Ilir Meta.
“Forcat opozitare janë dhe mbeten aleatë pavarësisht marrin apo nuk marrin pjesë në këto zgjedhje. Por oportunitetet politike janë oportunitete dhe ata zgjedhin të mos investojnë në këto 6 bashki. Në fakt nëse unë jam takuar me ta dhe kam zhvilluar takime, Lul Bravën ata nuk e takojnë. Nuk janë pjesë e koalicionit, ata kanë adaptuar këtë qëllim që ne do ja lëmë degëve lokale për cilin kandidat do mbështesin. Kanë vendosur të mos hyjnë në zgjedhje, të mos maten me këtë proces. Por kjo nuk do të thotë që degët lokale nuk do të mbështesin kandidatët që preferojnë.”
Ish-kryeministri tha se marrëveshjen me LSI-në e firmosi zoti Flamur Noka dhe Sekretarit i Përgjithshëm i LSI-së ndërsa shtoi se në koalicion edhe Demokristianët dhe Kristiandemokratët.
Sa i përket takimit me kreun e shtetit, Berisha sqaroi se me të nuk ka folur detaje të marrëveshjes.
“Kemi zhvilluar bisedime në të gjitha nivelet. Edhe unë kam marrë pjesë në bisedime me zotin Meta. Jo detaje të marrëveshjes, por unë e kam deklaruar që jam për koalicion me LSI-në dhe ka gjetur një mirëkuptim. Marrëveshja nuk është negociuar as nga unë as nga zoti Meta. Unë e kam takuar zotin Meta dhe kam takuar të gjithë kryetarët e partive opozitare, përveç zotit Dule, i cili ndodhej jashtë shtetit….” /abcnews.al/