Kryetari i Bashkisë së Korçës kërkon që në projektin për ndërtimin e TEC-it në periferi të qytetit, të garantohet ngrohja e popullatës. Në të kundërtën Filo thotë se nuk do të lejojë të ngrihet ky investim.
Kryebashkiaku i Korçës nuk do të lejojë ndërtimin e TEC-it nëse ai nuk do të ngrohë qytetin. Sotiraq Filo është pozicionuar e kushtëzon projektin dhe kërkon garancinë për të siguruar ngrohjen e qytetit.
Ndërsa ambientalistët e lidhin ndërtimin e veprës energjitike me pasojat e pakthyeshme në mjedis për kreun e bashkisë, mbetet kusht i panegociueshem, zbatimi i një projekti konkret, që do të sigurojë ngrohje për popullatën. Për aq kohë sa në tryezën e Filos ende nuk ka mbërritur një studim i detajuar për alterantivat e ngrohjes së qytetit, bashkia mbetet kundërshtuese për zbatimin e projektit.
Sotiraq Filo: I vetmi përfitim që ka qyteti dhe që mund të justifikojë praninë e TEC-it në afërsi të tij është vetëm ngrohja e qytetit. Sa kohë që ngrohja e qytetit nuk realizohet në të njëjtën kohë me realizimin e këtij TEC-i ne e kundërshtojmë pozicionimin e tij në afërsi të qytetit.
Nga ana tjetër kreu i bashkisë kërkon që investitori i projektit energjitik të japë garanci edhe për uljen e nivelit të ndotjes, i cili aktualisht mbetet i lartë, nga përdorimi i druve të zjarrit.
Sotiraq Filo: Pastaj do i hyjmë shqyrtimit të balancit ndërmjet ndotjes që do shkaktojë TEC-i me fitimin që do kemi nga eleminimi i ndotjes për shkak të përdorimit të druve të zjarrit.
Edhe prefekti i Korçës e konsideron thelbësore që ndërtimi i veprës energjitike të shoqërohet me garanci për mbrojtjen e mjedisit dhe perspektivës turistike të rajonit juglindor.
Dhori Spirollari: Në rast se ndikimi në mjedis do të jetë negativ sigurisht nuk mund ta mbështes unë dhe nuk do e mbështesin institucionet e specializuara që janë të ngarkuara me vlerësimin e çdo kofiçienti që tashmë ka vënë në raport siç është ndotja e qytetit, siç janë efektet që mund të japin në zhvillimin në bujqësi.
Vepra energjitike, që do të prodhojë energji elektrike nga gazi, është parashikuar të ndërtohet në periferi të qytetit të Korçës brenda vitit që jemi./abcnews.al