SPAK përfundon hetimet, dërgon për gjykim ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa

schedule15:23 - 31 Janar, 2022

schedule 15:23 - 31 Janar, 2022

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish prokurorin e Sarandës Sali Hasa dhe 6 të tjerë.

Hasa ra në pranga në Qershor 2021 pas hetimeve të nisura gushtin e kaluar për një grup trafikantësh të lëndëve narkotike dhe akuzohet për korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Përveç Hasës, në pranga janë vënë edhe 6 persona të tjerë me akuzën e korrupsionit, përcaktimi i rezultateve në garat sportive si dhe ekspertim i rremë. Hetimet kanë përfunduar edhe për Napolon Hodajn, Emiljano Miranin, Elsona Papën, Markelian Alinanin, Julian Zerën, Qerim Ruçin dhe Bledar Hajredinin, dosjet e të cilëve janë dërguar për gjykim.

Në përfundim të hetimeve, SPAK njofton se janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:

Sali Hasa, akuzuar se ka kryer veprat penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe deklarimit të rremë, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Napolon Hodaj, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Emiljano Mirani, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Elsona Papa, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Julian Zera, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25 i Kodit Penal si dhe 305/b/1 të Kodit Penal.

Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.
Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal. /abcnews.al