Greqia pritet të miratojë një ligj të ri që thjeshtëson procedurat për marrjen e shtetësisë greke. Ligji që protet të votohet së shpejti në parlament, redukton edhe tarifën, si dhe zgjeron gamën e përfituesve, mes tyre edhe shtetas shqiptarë.
Në Greqi Parlamenti pritet të votojë ditët e ardhshme një ligj të ri, i cili thjeshtëzon më tej procedurat për marrjen e nënshtetësisë greke dhe rrjedhimisht shkurton kohën e pritjes që sot shkon deri në më shumë se vjet.
Lajmi është dhënë nga ministri i brendshëm, Aleksis Haritsis. Ligji i ri redukton tarifën që paguhet për marrjen e nënshtetësisë greke. Tarifa e re do të jetë 550 euro, në vend të 700 që është deri më tani.
Aplikuesit do të ftohen të përgjigjen në 20 pyetje nga 30 që do t’u bëhen gjithsej. Ato do të përzgjidhen rastësisht nga një “bankë” prej 300 pyetjesh të parapërgatitura, përgjigjet e të cilave do të jenë të gjitha të disponueshme për të interesuarit, në një faqe interneti.
Ligji i ri e zgjeron më tej gamën e përfituesve të nënshtetësisë greke. Dispozitat e reja ia japin këtë të drejtë edhe personave me moshë mbi 65 vjeç, si dhe atyre me të meta mendore apo të sëmurëve psikikë.
Sipas sekretarit të shtetit për nënshtetësinë, Llambros Baltsiotis, janë rreth 200 mijë qytetarë shqiptarë që tashmë kanë marrë pasaportë greke. “Mbi bazën e të dhënave, kemi 135.000 qytetarë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë si homogjenë, (minoritarë), dhe rreth 55.000 janë qytetarë shqiptarë. Totali është rreth 200.000”.
Sipas Baltsiotis, shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të personave që ka marrë nënshtetësinë greke./abcnews.al