Deputeti i PD-së, njëherësh drejtuesi i degës së Fierit, Agron Kapllanaj i është përgjigjur Sali Berishës, që e akuzoi sot se përmes firmës së ndërtimit në emër të të vëllait ka marrë tendera miliona euro nga bashkitë socialiste.
“Pasi dështoi me turp sepse demokratët e braktisën, Berisha tani sillet vërdallë si ish-politikani i korruptuar, si ish-kryeministri i parë non-grata për korrupsion në historinë e Shqipërisë dhe vetëm vjell vrer sepse nuk i del inati që Fieri është me të ardhmen dhe mbështet Lulzim Bashën.
Çdo ditë ai nxjerr gënjeshtra dhe shprifje të reja si një shpifës ordiner. Por Berisha nuk e mban më dot peng as të ardhmen e PD-së dhe as të Shqipërisë. Ai është vetëm e shkuara e keqe e saj! Ne do punojmë fort derisa të sjellim një të ardhme më të mirë për demokratët dhe gjithë shqiptarët” shkruan Kapllanaj.
“Me cilin je ti, me Lul Bravën e parkut të 4 hajdutëve që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate bashkë me Edi Ramën dhe Erion Velinë dhe për këtë shkak nuk lejon demokratët në shtëpinë e tyre. Me cilin je ti, me “Pallat Kapllanin” që fiton me qeverisjen socialiste dhjetëra dhjetëra milionë euro dhe pastaj vjen e prish shtëpitë e fukarenjve në Tiranë për të ndërtuar pallatin e milionave bashkë me Lulzim Bashën.
Këta janë gjakpirës. Ja ti them unë atij “Pallat Kapllanit”, si i fitove t’i 32 mln euro me bashkitë socialiste në këtë periudhë, sa pagove, çfarë ryshfeti dhe? Duhet të largohesh nga PD. Vjen bëhesh vegël e Bashës, ka rrezik të ketë marrë edhe ndonjë pallat te “parku i katër hajdutëve” tha ai. Kompania e ndërtimit është në emër të vëllait të deputetit, Shkëlqim Kapllanaj.
/ Abcnews.al