Autor i vjedhjes së 4 banesave në Kavajë: Arrestohet 21-vjeçari, mbante pa leje edhe armë e fishekë luftarakë

schedule11:27 - 26 Janar, 2022

schedule 11:27 - 26 Janar, 2022

Policia në Kavajë ka vënë në pranga një të ri që u kap duke drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt. 21-vjeçari rezultoi të ishte autor i katër vjedhjeve në këtë qytet.

Njoftohet se në pranga është vënë  A. U., 21 vjeç për veprat penale: “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

I riu nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe braktisi automjetin duke tentuar të largohet. Më tej, gjatë kontrollit në banesë, policia i gjeti një armë gjahu pa leje, fishekë luftarakë, një dorezë metalike dhe një maskë që dyshohet se përdoret për vjedhje.

Nga hetimet rezulton që 21-vjeçari të jetë autor i katër vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të fundit:

– Më datë 19.01.2022, në fshatin Rrakull, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. T.;

– Më datë 19.01.2022, në fshatin Bago, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. V.;

– Më datë 21.01.2022, në lagjen nr. 3, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. L.;

– Më datë 24.01.2022, në fshatin Golem, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases E. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme procedurale. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!