Nisma e bashkisë “Dhuro pemë për Tiranën” u ndal pranë amfiteatrit të parkut të liqenit artificial, ku kryetari Erion Veliaj, e cilësoi aksionin si një pajë për gjeneratën e ardhshme. Ndërkohë ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ishte në Universitetin Bujqësor, ku bisedoi me specialistë të fushës për menaxhimin e fondit pyjor në vend.
Ti përdorim pyjet për të zhvilluar ekonominë. Rreth kësaj teme, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, mori mendimet e profesorëve dhe studentëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërsa theksoi se ky është fillimi i një bashkëpunimi të ndërsjelltë për të menaxhuar fondin pyjor të vendit.
“Ne jemi politikëbërës, ne kemi detyrën që ta orientojmë bisedën, por ju jeni ekspertët! Dhe pa marrë këtë mendim ne nuk dalim dot në atë cfarë kërkojmë më mbrapa, që të projektojmë ku do çojmë fondet, ku do bëhen planet e menaxhimit, ku do realizohen prerjet e pyjeve, menaxhimi etj, pra ne na duhet që ta bëjmë ekonomi këtë punë”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vijoi aksionin e mbjelljeve pranë Amfiteatrit të liqenit artificial bashkë me nxënësit e shkollave “Qemal Stafa”, “Servete Maçi” dhe “Partizani”.
“Do të thotë të kuptojmë natyrën, të kuptojmë se i kemi lidhur fatet bashkë, se kjo është një pajë për gjeneratën tjetër, se pemët e mëdha u mbollën nga prindërit e tyre kur ata ishin nxënës, kurse ata duhet të mbjellin tani për të ardhmen, për të gjithë ata që janë fëmijë sot. I jam shumë mirënjohës drejtoreshës, i uroj gëzuar ditëlindjen edhe zyshës së dalluar, edhe nxënëses ekselente sepse nuk ka mënyrë më të bukur për ta festuar ditëlindjen se sa duke mbjellë pemë të bukura në hyrje të amfiteatrit”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Tirana është shumë pranë rekordit të vjetshme të mbjelljeve ndërkohë që iu bëri thirrje qytetarëve dhe biznesve të bëhen pjesë e aksionit për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet./abcnews.al