Floriani, fëmija që u rrit pa baba e humbi nënën para syve mbyll ditët në qeli në mungesë të drejtësisë

schedule15:28 - 25 Janar, 2022

schedule 15:28 - 25 Janar, 2022

Florian Përvathi ndoshta nuk e ka dëgjuar kurrë emrin e Ernest Koliqit. A më pak ka gjasa që të dijë se cili është fati i Dodës, personazhit të tregimit “Gjaku” që kthehet në vendlindje me dëshirën për të shmangur gjaknxjerrjen siç i thonë në përditshmëri atje në hartën e gjakut që mbetet i terun derisa haku të ketë marrë peshën e vet.

Por Floriani nuk është thjesht pasojë e një dëshire të zjarrtë për hakmarrje siç shkruan djaloshi në faqen e tij sociale, por për të rikthyer nderin. Po cilin nder? Atë nder që nuk mundi dot t’ia kthente sistemi ynë i drejtësisë që e la të lirë atë që i mori jetën të atit të tij? Apo është ky nder dhe pesha e një fati edhe më tragjik që shkaktoi më pas edhe vetë helmimin e të ëmës duke ia këputur fëmijërinë?

Florian Përvathi nuk është thjesht nje fat që vjen nga kohërat, ai është bir i kohës sonë, një kohë që përmes shpërfilljes së ligjit, lejon që sytë të kthehen nga vetëgjyqësia.

Zëri i atyre që kërkojnë arsye, që kërkojnë që shteti të vërë drejtësinë  vijnë e bëhen të zbehtë deri në pëshpërima pasi mungesa e drejtësisë e vë arsyen nën pranga dhe i heq prangat hakmarrjes në emër të një nderi.

Sot fëmija që u rrit pa baba, që humbi nënën përpara syve nga hidhërimi u vetëdorëzua duke mbyllur kështu ditët e tij në emër të asaj që ligji nuk e bëri.

Çfarë do që të themi sot, duhet të ndihemi me turp që nuk folëm kur duhet. Ashtu siç jemi mëkatarë për shumë fenomene të tjera që na lejojnë të futemi në hullinë e hakmarrjes dhe urrejtjes.

Padyshim që lirimi i mëkatarëve përmes rryshfetit, përmes korrupsionit janë minat që i kemi nën këmbët e jetës sonë të përditshme. Dhe, që kanë rrezikun që Florianët t’i kemi në çdo qytet, në çdo lagje pa mundur dot t’i ndëshkojmë me zë të lartë, edhe pse askush prej nesh nuk mund të miratojë marrjen e një jete. /abcnews.al/