Njerëzit që udhëtojnë drejt Anglisë dhe Skocisë nuk do të duhet të bëjnë më teste Covid nëse janë plotësisht të vaksinuar. Në një nxitje për familjet, ndryshimet do të hyjnë fuqi në orën 04:00 të datës 11 shkurt. Rregullat janë lehtësuar gjithashtu për udhëtarët e pavaksinuar, të cilët nuk do të duhet të bëjnë një test pas tetë ditësh që mbërrijnë në Angli dhe Skoci dhe të izolohen.
Megjithatë, ata do të kenë ende nevojë për teste para nisjes dhe ditën e dytë. Sekretari i Transportit në Mbretërinë e Bashkuar, Grant Shapps tha se të gjithë që mbërrijnë në Angli dhe Skoci, pavarësisht nga statusi i vaksinimit do të duhet të plotësojnë një formular për gjetjen e pasagjerëve, megjithëse këto do të bëhen “më të lehta” për t’u plotësuar. Uellsi dhe Irlanda e Veriut nuk kanë thënë ende nëse do të ndryshojnë rregullat e tyre të testimit, megjithëse pritet të ndjekin shembullin raporton “BBC”.
Në një deklaratë për Dhomën e Komunave, zoti Shapps tha se masa do t’i kursente familjeve rreth 100 paund për vizitat jashtë vendit si dhe do të nxiste industrinë e rrethuar të udhëtimit. Sekretari skocez i Transportit Michael Matheson tha se masat ishin “jashtëzakonisht të mirëpritura” për sektorët e turizmit dhe aviacionit. Por ai tha se “mbikëqyrja e mëtejshme” do të ishte e nevojshme në të gjitha vendet e Mbretërisë së Bashkuar për të kapur variantet nëse ato shfaqen. / abcnews.al