BE kritikon djegien e mandateve, reagon Koçijançiç

schedule22:00 - 18 Shkurt, 2019

schedule 22:00 - 18 Shkurt, 2019

Bashkimi Europian ka dalë kundër vendimit të opozitës shqiptare për të djegur mandatet. Brukseli i ka bërë thirrje klasës politike që të gjejë konsensusin për reformat që i duhen vendit për anëtarësimin në BE në Parlament dhe jo jashtë tij.

Bashkimi Europian ka kritikuar nismën për djegien e mandateve nga partitë e opozitës shqiptare, duke deklaruar se debatet politike duhet të zhvillohen në Parlament. “Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane. Është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara e jo të bojkotohen”, ka deklaruar Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini. Sipas zëdhënëses, thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar Parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe bien ndesh me përpjekjet e vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE.

“Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, ka shtuar Koçijançiç. Vendimin e opozitës për djegien e mandateve parlamentare e ka komentuar edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtein. I pyetur nga ABC News, Fleckenstein ka deklaruar se nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me një situatë të tillë. “Për mendimin tim, asgjë nuk ka ndryshuar gjatë 5 viteve të fundit në këtë drejtim”, ka thënë Flekenshtein. Eurodeputeti ka theksuar se, është detyra e opozitës të ofrojë një alternativë ndaj politikës aktuale në Parlament dhe madje edhe jashtë tij nëse është e nevojshme. “Në fund të ditës, çdo anëtar i Parlamentit vendos nëse ai ose ajo dëshiron të heqë dorë nga mandati i dhënë nga populli”, ka shtuar Flekenshtein./abcnews.al