Kukësi kërkon kthesën ndaj Skënderbeut, të gatshëm për trajnerët edhe afrimet e janarit

schedule09:25 - 23 Janar, 2022

schedule 09:25 - 23 Janar, 2022

Kukësi-Skënderbeu është sfida e ditës së sotme e javës së 17-të të Abissnet Superiores. Një takim që do të luhet në “Loro Boriçi” ora 16:45, me verilindorët që vazhdojnë të “shtegtojnë” në mungesë të stadiumit të tyre.

Kukësi vjen në këtë sfidë pas humbjes përballë Dinamos, ndërsa në javët e fundit ka humbur terren në garë për titullin kampion sepse tani Tirana është 6 pikë larg. Skuadra e Diego Longos gjithashtu është parakaluar edhe nga Laçi i cili ditën e djeshme fitoi ndaj Teutës dhe është +3 pikë ndaj Kukësit.

Skuadra verilindore është e plotë në këtë duel, ndërsa Longo i gëzohet faktit se ndaj korçarëve do të kenë në dispozicion edhe blerjet e janarit, Musta, Gligorov dhe Shkurtaj.

Ndërkohë nga krahu tjetër skuadra e Memellit ka koleksionuar 8 pikë në pesë javët e fundit dhe më mirë se korçarët kanë bërë vetëm Tirana dhe Laçi.  Edhe korçarët vijnë të plotë në këtë duel, duke pasur luksin për të bërë edhe ndryshime në formacion me afrimet e janarit siç mund të jetë Frashëri.

Një takim i cili premton të jetë i luftuar me dy skuadrat që do kërkojnë gjithashtu të marrin 3 pikët e para për  vitin 2022, me Kukësin që dëshiron të hakmerret për humbjen e parë në përballjen mes tyre. /f.a/abcnews.al