Në Kosta Rika, zyrtarët po inkurajojnë personat e infektuar nga koronavirusi që të mos marrin pjesë në votime për zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë. Në anën tjetër të botës, Pekini po i vendos nën izolim komunitetet rezidenciale, ndërsa vendi pret me ankth fillimin më 4 shkurt të Lojërave Olimpike.
Në Amerikën Latine dhe në Azi, ku varianti Omicron po shfaqet rishtazi, disa vende po vendosin kufizime të forta, ndërsa vende të tjera ngurrojnë të vendosin kufizime të tilla ndaj popullsisë së lodhur nga kufizimet e mëparshme.
Varianti Omicron përfshiu me shpejtësi vendet ku goditi fillimisht, si Afrikën e Jugut, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, duke e ngritur nivelin e infektimeve në rekordet më të larta që nga fillimi i pandemisë.
Kontinentet e Amerikave raportuan gati 7.2 milionë infektime të reja nga COVID-i dhe mbi 15 mijë vdekje të lidhura me të gjatë javës së fundit, tha të mërkurën Organizata Pan-Amerikane e Shëndetësisë (PAHO). Infektimet nga koronavirusi në mbarë Amerikat janë dyfishuar gjatë periudhës 1-8 janar, nga 3.4 milionë raste të reja, në 6.1 milionë.
Infektimet po përshpejtohen në Bolivi, Brazil, Kolumbi dhe Peru, si dhe po shtohen shtrimet në spital në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, tha drejtorja e PAHO-s, Carissa Etienne. Ishujt e Karaibeve po përjetojnë një nga rritjet më të larta që nga fillimi i pandemisë, tha zonja Etienne.
“Megjithëse infektimi nga varianti Omicron duket se është më i lehtë, ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për kujdes pasi virusi po përhapet në mënyrë më aktive se më parë”, tha zonja Etienne.
Infektimet po rriten edhe në Azi, si në Filipine, që gjatë javëve të fundit ka përjetuar përhapjen më të keqe të koronavirusit.
Vendet në të dyja këto zona të globit po shqyrtojnë një kombinim kufizimesh që popullsitë e tyre të lodhura do të mund t’i pranojnë dhe që nuk do të shkaktojnë dëm të panevojshëm për ekonomitë e tyre.
“Po shkojmë tashmë në vitin e tretë të pandemisë dhe popullsia është lodhur”, tha Carlos Lula, presidenti i Këshillit të Brazilit për Sekretariatet e Shëndetësisë. “Nuk ka më hapësirë për kufizime të tilla. Do të na duhet të përballemi me valën e tretë me masa mbrojtëse si maskat, distancimi dhe vaksinimi”.
Argjentina dhe Meksika gjithashtu kanë përjashtuar vendosjen e kufizimeve mbarëkombëtare, duke u mbështetur më shumë tek fushata e vaksinimit dhe tek fakti që variani Omicron ka simptoma më pak të rënda.
Dy vende të tjera të Amerikës Qendrore, Panamaja dhe Hondurasi, nuk kanë vendosur asnjë kufizim pavarësisht se rastet e tyre të infektimeve janë dyfishuar gjatë javës së kaluar.
Porto Riko, një territor i Shteteve të Bashkuara dhe ndër vendet më të goditura në Karaibe ku rritja e infektimeve ka përfshirë gjithë rajonin, forcoi kufizimet përsëri këtë muaj pasi niveli i testeve pozitive me COVID-19 u rrit nga 5% në fund të vitit të kaluar në më shumë se 40% në javët e fundit.
Në Kili, infektimet u rritën me 151% në një javë, por i vetmi kufizim që qeveria ka vendosur deri më tani është ulja e kufirit të kapacitetit për hapësirat publike. Vendi ka një shkallë të lartë vaksinimi, me më shumë se 92% e personave në moshën mbi 18 vjeç dhe 78% e të miturve që kanë marrë tashmë dy doza të vaksinës. Qeveria filloi të ofrojë një dozë të katërt këtë muaj.
Megjithatë, në disa vende të Amerikës së Jugut, varianti Omicron ka një ndikim të rëndë.
Një spital kryesor në qytetin më të madh të Bolivisë ndaloi pranimin e pacientëve të rinj për shkak të mungesës së personelit dhe një nga shtetet më të populluara të Brazilit anuloi operacionet e planifikuara për një periudhë njëmujore. Federata e ofruesve privatë të kujdesit shëndetësor të Argjentinës vlerëson se rreth 15% e punonjësve të saj janë të infektuar aktualisht nga virusi.
Në Azi, Koreja e Jugut lehtësoi disi këtë javë kufizimet e saj për tubimet. Por zyrtarët kanë shprehur shqetësimin për një rritje të infektimeve gjatë festës së Vitit të Ri Hënor, i cili fillon në fund të muajit, kur miliona njerëz zakonisht udhëtojnë në mbarë vendin për të takuar të afërmit.
Në Kinë, kryeqyteti Pekin e ka kaluar mësimdhënien në internet dhe ka mbyllur disa ndërtesa zyrash. Japonia, ndërkohë, po ushtron kontrolle të rrepta kufitare me rritjen e infektimeve, por nuk ka ndërmarrë masa të mëtejshme përveçse shkurtimin e orëve të punës për restorantet dhe baret.
Autoritetet e Hong Kongut kanë ndaluar ngrënien në ambiente të mbyllura pas orës 18:00 dhe urdhëruan disa biznese, si muzetë dhe palestrat, që të mbyllen të paktën deri në fillim të shkurtit. Qyteti po asgjëson gjithashtu kafshët e vogla shtëpiake, si brejtësat, dhe po ndalon importin dhe shitjen e tyre, pasi disa lloje brejtësish në një dyqan kafshësh rezultuan pozitivë për koronavirusin.
Në Filipine, zyrtarët këtë javë filluan të përjashtojnë udhëtarët që nuk janë vaksinuar plotësisht nga transporti publik në rajonin Manila, rajon me më shumë se 13 milionë banorë. Ky veprim nxiti protesta nga grupet e të drejtave të njeriut. Infektimet e konfirmuara ditore u rritën nga disa qindra muajin e kaluar në më shumë se 30 mijë ditët e fundit.
Udhëheqësit e Kishës Katolike në kryeqytetin e Filipineve u detyruan të anulojnë për të dytin vit procesionin e 9 janarit të Nazarenit të Zi, një statujë e zezë shekullore e Jezu Krishtit. Për shkak se ngjarja është një nga festat më të mëdha fetare të Azisë, që tërheq miliona pelegrinë kryesisht këmbëzbathur, zyrtarët kishin frikë se mund të bëhej një premisë për një përhapje shumë të lartë të variantit Omicron.
Duke paralajmëruar se varianti ndonjëherë më i dobët Omicron mund të vazhdojë të marrë jetë, Presidenti Rodrigo Duterte iu lut njerëzve që të imunizohen plotësisht.
“Nëse jeni vaksinuar, keni një shans për të luftuar. Nëse jo, ne do të vazhdojmë varrimet, do të mbushim varrezat tona”, tha zoti Duterte në një fjalim të transmetuar nëpërmjet televizionit. /VOA