E kishte paralajmëruar si fazën e fundit të përshkallëzimit të sezonit të protestave opozitare, e duket se kjo pamje i ka dhënë kreut të demokratëve zemër.
“Unë jam sot këtu per t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të PD-së djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme: Mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shqipërinë si gjithë Europa”!
Atë që deri dje nuk e shihte zgjidhje, sot kryedemokrati e dëshmon si rrugën e vetme drejt Europës.
“Me zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri që u shërben qytetarëve, me gaz helmues iu përgjigjën luleve dhe civilizimit tuaj europian”.
Ndaj edhe paralelen e heq me të.
“Gjermanët, francezët, britanikët, italianët, amerikanët nuk pranojnë kurrë t’i qeverisë dikush që është kapur duke blerë votat e tyre, bashkë me krimin. Për fat të mirë, prej 16 Shkurtit, këtë nuk e pranojnë më as shqiptarët”!
Masiviteti dhe vendosmëria e protestës që për Bashën, i vuri vulën europiane reagimit të popullit shqiptar më 16 Shkurt dhe dha një mesazh të fortë, sipas tij.
“Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë këtë mesazh, mesazhin e sovranit të bashkuar si asnjëherë më parë në protestën e djeshme. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim”.
Përkundër qëndron Partia Demokratike, thekson Basha.
“Mbështetja juaj, e dëshmuar dje, mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen politike, të ofruar nga opozita. Duke ju falenderuar per besimin e demonstruar dje,ju siguroj se e unë e kam dëgjuar dhe kuptuar shumë qartë mesazhin tuaj me pjesëmarrjen dhe bashkimin ne protesten më të madhe që ka patur ndonjëherë vendi. Mesazhi juaj është i qartë: Kështu nuk vazhdohet më! Kupa është mbushur dhe është derdhur. Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar”.
Demokratët, pas ezaurimit të çdo rruge ligjore, institucionale, politike nuk do të vijojnë të jenë fasada e një parlamenti të dështuar përfundoi Lulzim Basha./abcnews.al