Osmani: Ibrahim Rugova është fytyra e shtetit, Kosovën do të vazhdojmë ta mbajmë me miq

schedule09:31 - 21 Janar, 2022

schedule 09:31 - 21 Janar, 2022

Presidentja e Kosovës, Vosa Osmani e ka përkujtuar Presidentin historik, Ibrahim Rugovën, në 16 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Osmani shkruan se Rugova është fytyra e shtetit dhe do të ndjekin këshillat e tij për marrëdhëniet me shtetet mike të Kosovës.

“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, ka shkruar Osmani.

Postimi i saj i plotë:

Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.

Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.

Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova.

Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide.

Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.

Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!