Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj bënë sot homazhe në kompleksin përkujtimor të Adem Jasharit, me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë.
Krerët e shtetit kanë vendosur buqeta me lule tek varri i ish-komandantit legjendar të UÇK-së në Prekaz dhe kanë mbajtur një minutë heshtje. Në një prononcim për mediat, Thaçi ka deklaruar se i është mirënjohës familjes Jashari për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës.
“Sot jemi këtu për t’i bërë nderimet shtetërore komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë, Adem Jashari dhe familjes së tij për sakrificën sublime, që shërbeu si bazament për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa Haradinaj, me pak fjalë ka uruar qytetarët për 11-vjetorin e pavarësisë./abcnews.al