“Në PD ka një pakicë uzurpuese”, Kaso: Përjashtimet nuk bëhen nga ish-kryetari

schedule19:56 - 18 Janar, 2022

schedule 19:56 - 18 Janar, 2022

Për Ivi Kason, anëtar i Komisionit të Rithemelimit tashmë PD, ajo që njihet si zyrtare është një pakicë uzurpuese. I ftuar në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Kaso komentoi përjashtimet e deputetëve që janë pjesë e këtij komisioni. Kaso i ka cilësuar nul këto vendime, pasi sipas tij që nga 11 dhjetori nuk ka një kryesi legjitime.

“Është në vijim të veprimeve të paligjshme që një pakicë uzurpuese vijon të kryejë me qëllim që të ushqejë opinionin publik me gjëra që sikur po ndodhin në PD. Ka patur një Kuvend legjitim të thirrur nga anëtarësia në 11 dhjetor”, u shpreh ai.

Kaso thotë me tej se sipas rregullores së Kuvendit deputetët organizohen sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. Ai thotë se përjashtimet nuk mund të vijnë nga një shkresë e ish-kryetarit të partisë, duke iu referuar shkarkimit të Lulzim Bashës.

“Kryesia në thonjëza e PD është konsideruar nga Kuvendi Kombëtar si e pakonstituar. Që nga data 11 dhjetor e kemi të pamundur të kemi një kryesi legjitime. Të gjithë aspektet e tjera kanë të bëjnë me pjesën ekstraligjore. Pjesa që i takon Kuvendit është që ka vetëm një parashikim në rregullore, neni 15, që parashikon që grupet parlamentare përbëhen nga deputetët që organizohen në dy mënyra, sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik.

Është rregullorja e parlamentit që e normon një gjë të tillë. është grupi parlamentar që zgjedh kryetarin. Është Kuvendi që i vë në dispozicion ambientin e Kuvendit. E njeh deputetin si personalitet juridik dhe organizëm të gjallë. Përjashtimi nuk vjen nga një shkresë e ish-kryetarit të partisë”, u shpreh Kaso. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!